Ballina Ekonomia Koncesionet dhe PPP-të, KPP mund të pezullojë menjëherë kontratat në rast ankimimi,...

Koncesionet dhe PPP-të, KPP mund të pezullojë menjëherë kontratat në rast ankimimi, gjoba deri në 10% të vlerës

71
0

Kontratat e koncesioneve dhe partneritetit publik privat do të mund të pezullohen menjëherë sapo një operator ekonomik të ankimojë vlefshmërinë e tyre, ndërsa në rast të shkeljeve autoritetet kontraktore mund të gjobiten deri në 10% të vlerës së kontratës së nënshkruar. Rregullat përcaktohen në një vendim të ri të Këshillit të Ministrave, që i jep Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) kompetencën për shqyrtimin e ankesave për pavlefshmërinë e kontratave koncesionare dhe PPP-ve.

Sipas vendimit, operatorët ekonomikë mund t’i drejtohen KPP-së brenda 6 muajve nga e nesërmja e datës së lidhjes së kontratës. Me marrjen e ankesës, Komisioni duhet të vendosë me vendim të ndërmjetëm pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të kontratës, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Përjashtim bëhet kur pezullimi mund të cenojë çështje thelbësore të interesit të përgjithshëm. Në një rast të tillë, KPP mund t’i lejojë autoritetit ose entit kontraktor të vazhdojë zbatimin e kontratës. Po për arsye të interesit të përgjithshëm, Komisioni mund të vendosë edhe të mos e shpallë një kontratë absolutisht të pavlefshme, edhe kur konstatohen kushtet e parashikuara nga ligji nr.88/2025.

Vendimi, megjithatë, kufizon fort atë që mund të përdoret si argument për vijimin e kontratës. Kostot ekonomike të lidhura drejtpërdrejt me koncesionin nuk konsiderohen çështje thelbësore të interesit të përgjithshëm. Këtu përfshihen kostot që vijnë nga vonesat në zbatim, hapja e një procedure të re koncesioni ose PPP-je, ndryshimi i operatorit ekonomik, si edhe detyrimet ligjore që mund të lindin nga pavlefshmëria e kontratës.

Nëse KPP konstaton shkelje, por vendos të mos e shpallë kontratën të pavlefshme, ai mund të shkurtojë afatin e zbatimit të saj ose të gjobisë autoritetin apo entin kontraktor. Gjoba lidhet me vlerën e kontratës dhe nuk mund të kalojë 10% të vlerës së nënshkruar. Për përcaktimin e masës do të merren parasysh rëndësia dhe pasojat e shkeljes, dëmi i shkaktuar, vlera e kontratës, parimet e shkelura dhe nëse autoriteti ka përsëritur shkelje të ngjashme.

Vendimet e KPP-së mund të ankohen më pas në gjykatën kompetente për mosmarrëveshjet administrative. /ekofin.al