Një 35-vjeçar në kërkim për vrasje në tentativë është arrestuar në Berat. Bledar Çuni së bashku me dy persona të tjerë plagosën me armë zjarri Fabion Kuçin ndryshe i njohur si ‘Gucci’ në TikTok, teksa ndodhej në një lokal në lagjen nr.9, Durrës. Ngjarja u regjistrua në 15 dhjetor të vitit të kaluar, ku tre autorët u afruan me me një automjet lokalit ku po qëndronte Kuçi dhe qëlluan drejt tij. Si pasojë 34-vjeçari mbeti i plagosur lehtë.
Fabion Kuçi nuk është i panjohur për policinë, pasi ka një histori të mëparshme kriminale jashtë vendit, duke qenë i dënuar në Angli për vepra të ndryshme penale.
Ai ishte kthyer në Shqipëri vetëm pak muaj para incidentit dhe ishte bërë mjaft aktiv në rrjetin social TikTok, ku shpesh herë përfshihej në debate dhe përplasje me personazhe të tjerë për shkak të postimeve që publikonte.
B. Ç., 35 vjeç, banues në Durrës.
Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
Ky shtetas dyshohet se, më datë 15.12.2025, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit F. K., i cili ndodhej në një lokal në lagjen nr. 9, Durrës. Si pasojë, shtetasi F. K. është dëmtuar lehtë.
35-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të DVP Durrës, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, njoftoi sot policia.







