Dinamo ka dalë nga Liga e Konferencës me kokën lart, pasi është eliminuar nga Pafos në play-off vetëm pas kohëve shtesë.
Blutë kanë zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, teksa gjetën të parët avantazhin me Fadairon, por u barazuan shpejt nga miqtë. Ata vunë në vështirësi disa herë ekipin e Pafois duke mos e lejuar që të luante në sulm.
Vendasit ia dolën të shënonin përsëri në pjesën e dytë por Dinamo nuk u dorëzua dhe barazoi me Silva-Riçards pak minuta para fundit. Blutë tentuan ta çonin ndeshjen te penalltitë, pasi u tërhoqën në kohët shtesë, pro vendasit gjetën dy herë golin dhe ia dolën të siguronin kualifikimin.
Skuadra e Dinamos ka mbyllur edhe për këtë sezon aventurën europiane në fazën play-off të Ligës së Konferencës. Blutë kanë fituar shifra të rëndësishme nga UEFA, por edhe kanë ndihmuar veten sa i përket një elementi shumë të rëndësishëm që do t’i duhet në të ardhmen në Europë.
Për të dytin vit radhazi, Dinamo ka mbyllur me 2,5 pikë të fituara pjesëmarrjen e saj në Europë si pasojë e kalimit në play-off, duke bërë që me vetëm dy edicione, koeficienti në UEFA të shkojë menjëherë në 5. Një koeficient që ndoshta nuk i mjafton për të qenë mes favoritëve në vazot e shortit në ediconin e ardhshëm, por në vijim mund të jetë shumë ndihmesë, pasi duhet kujtuar se bluve u përllogariten me koeficient 0 tre edicionet e mëparshme në të cilat nuk ishin pjesë e Europës.
Vetëm 3 skuadra do të kenë koeficient më të lartë se Dinamo nga kampionati shqiptar në sezonin e ardhshëm. Partizani dhe Vllaznia do të jenë koeficientin 6, ndërsa Egnatia do të mësojë koeficientin përfundimtar vetëm pas përfundimit të fazës në grupe në Ligën e Konferencës.







