Ballina Kronika Lezhë/ Me makinë të blinduar dhe pistoletë, 41-vjeçari nuk i bindet Policisë,...

Lezhë/ Me makinë të blinduar dhe pistoletë, 41-vjeçari nuk i bindet Policisë, kapet pas ndjekjes!

56
0

Arben Mhillaj, 41 vjeç, po lëvizte me një makinë të blinduar mesditën e 27 gushtit në fshatin Torovicë, kur refuzoi urdhrin e efektivëve të policisë për të ndaluar. Patrulla e policisë i bëri me shenjë të ndalonte, por 41-vjeçari vijoi të lëvizte më shpejtësi dhe nuk ndali ndonëse policia iu vu nga pas. Disa minuta ka zgjatur ndjekja e Mhillajt, i cili u kap në fshatin Malecaj të Lezhës.

Brenda mjetit policia gjeti një armë zjarri me fishek në fole, e cila është sekuestruar bashkë me makinën e blinduar. Po ashtu, Mhillaj gjatë ndjekjes nga Policia hodhi edhe një krehër me fishekë. Mhillaj nuk është një emër i panjohur për blutë. Ai rezulton me precedent penal për kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Ndërsa vëllai i tij Florin Mhillaj, bashkë me dy të tjerë janë shpallur në kërkim për vrasjen e çiftit Kreshnik e Gentjana Mujeci për gjakmarrje më 27 prill.

 Njoftim i Policisë:

“Nga strukturat për hetimin e krimeve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara për një shtetas që qarkullonte i armatosur, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Unaza”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:

-Arben Mhillaj, 41 vjeç, banues në fshatin Malecaj-Torovicë, Lezhë.

Ky shtetas u lokalizua në fshatin Torovicë, duke qarkulluar me një automjet të blinduar.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi.

Pas disa minutash ndjekjeje, në fshatin Malecaj, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 41-vjeçarit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti i blinduar, 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe krehri i saj me disa fishekë, të cilat drejtuesi i automjetit i hodhi në tokë gjatë ndjekjes nga Policia”, njofton Policia.