Ballina Ekonomia Farsë në tenderin 3.6 mln euro të KESH, dy ortakë garojnë kundër...

Farsë në tenderin 3.6 mln euro të KESH, dy ortakë garojnë kundër njëri tjetrit

71
0

Një tender me vlerë 330 milionë lekë ose rreth 3.6 milionë euro i Korporatës Elektronergjetike Shqiptare mban erën e një farse të mirëfilltë, teksa përballë njëri tjetrit kanë garuar vetëm dy ortakë.

Proçedura e shpallur më 17 korrik të këtij viti parashikonte prokurimin e një transformatori fuqie për hidrocentralin e Komanit. Sipas dokumentave të bëra publike, në tenderin që u zhvillua 10 ditë më parë, u paraqitën vetëm dy oferta. Ajo e bashkimit mes kompanive Shansi Invest dhe Epes Group me vlerë 322 milionë lekë si dhe oferta e kompanisë LA OR me vlerë 325 milionë lekë.

KESH shpalli fituese ofertën e bashkimit të kompanive Shansi dhe Epes, por pjesën dërrmuese të kontratës e ka Shansi me 89 për qind.

Në pamje të parë, kjo duket si një garë normale, edhe pse me numër të ulët ofertash. Por, problemi është se dy kompanitë garuese janë të lidhura. Shpëtim Cinga dhe Laert Duro, respektivisht pronarët e kompanive Shansi dhe LA-OR kanë qenë ortakë me njëri tjetrin në kompaninë Golden Poëer.

Përveç kësaj, Shansi Invest dhe LA-OR kanë marrë mbi 10 milionë euro kontratat të dyja bashkë në Joint-Venture, përfshirë ndërtimin e Linjës së Burrelit.

Kur dy kompani të lidhura garojnë me njëra tjetrën, ka rrezik të lartë për koluzion. Pra bashkëpunim për fiksim çmimesh ose kartel, çka e shndërron tenderin në një farsë. Jo rastësisht në tenderat e KESH ku LA-OR dhe Shansi garojnë shpesh të vetme kundra njëra tjetrës, kontratat fitohen shumë pranë fondit limit./Kapital