Ballina Politika Rama në Mercedes luksoz/ Vangjeli: Mbi 10 milionë euro nga paratë e...

Rama në Mercedes luksoz/ Vangjeli: Mbi 10 milionë euro nga paratë e shqiptarëve për automjetet e pushtetit

43
0

Vangjeli solli si shembull shfaqjen e kryeministrit Edi Rama në Pogradec me një Mercedes-Benz S, me vlerë mbi 100 mijë euro, duke u shprehur se të njëjtën praktikë ndjek edhe administrata.

Sipas saj, bazuar në të dhënat e Open Procurement, janë shpenzuar miliona euro për blerje, qira dhe leasing automjetesh. Ajo tha se vetëm një procedurë e fundit për blerjen e tre automjeteve për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit kap vlerën e rreth 200 mijë eurove dhe se furnizuesi është Mektrin Motors.

PD kërkon që SPAK të hetojë mënyrën se si përdoren fondet publike, duke akuzuar qeverinë për luks, shpenzime të pajustifikuara dhe përqendrim të kontratave publike tek një grup i ngushtë operatorësh ekonomikë.

Deklaratë për media zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli:

Teksa propagandon kursime e mirëmenaxhim dhe përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve publike, kryeministri Rama shfaqet me automjete luksi, blerë sigurisht me paratë e shqiptarëve të varfër.

Vetë Kryeministri Rama u shfaq pak ditë më parë në Pogradec, pas mbledhjes së qeverisë, duke u larguar me një Mercedes-Benz S, një automjet luksoz i cili kushton mbi 100.000 euro.

E normalisht të njëjtin shembull ndjekin edhe vartësit e tij.

Sipas Open Procurement, administrata e Edi Ramës ka shpenzuar miliona euro për automjete të blera, me qira apo leasing.

Më tepër se 10 milionë euro kanë shkuar për këto blerje në duart e kunatit të KB socialiste të Durrësit, Emirjana Sakos.

Procedura e fundit, publikuar disa ditë më parë në regjistrin e prokurimeve, me objekt blerje e 3 automjeteve për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, drejtuar nga Delina Ibrahimaj, i kushton qytetarëve 200.000 euro (konvertuar me kursin e këmbimit sot).

3 automjetet e MEI do të furnizohen nga i njëjti operator, Mektrin Motors, biznesi i familjes së Emirjana Sakos.

Në përpjekjen e dështuar të Edi Ramës dhe sojit të tij për të bindur shqiptarët se qeveria punon dhe përpiqet për të mirët e tyre.

Përfundimi është i qartë:

Propagandë me fjalë, miliona për luks në praktikë.
Paratë publike përdoren për të financuar një administratë që nuk njeh kufij në shpenzime.
Kontratat publike vijojnë të përqendrohen tek një rreth i ngushtë operatorësh ekonomikë pranë pushtetit.

Partia Demokratike ripërsërit thirrjen e saj.

SPAK të hetojë si shpenzohen paratë e shqiptarëve.

Mjaft më me propagandë.
Mjaft më me padrejtësi.
Mjaft më me vjedhje e korrupsion.

Shqiptarët kërkojnë drejtësi.