Është ndarë nga jeta piktori i njohur shqiptar, Kujtim Buza, duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në artin dhe pikturën shqiptare.
Lajmi është bërë i ditur nga miku dhe kolegu i tij, Pashk Përvathi, i cili ka ndarë një dedikim për ndarjen nga jeta të artistit. Përvathi e përshkruan Buzën si një figurë të rëndësishme të artit shqiptar, por edhe si një profesor, koleg dhe mik të çmuar.
Kujtim Buza ishte djali i piktorit të njohur Abdurrahim Buza dhe u rrit në një familje me tradita të forta artistike. Gjatë karrierës së tij, ai dha kontribut si në krijimtari, ashtu edhe në jetën institucionale dhe edukimin e brezave të rinj të artistëve.
Në veprën e tij, Buza u dallua veçanërisht për peizazhet, ku natyra shqiptare, drita dhe ngjyrat zinin një vend të rëndësishëm. Sipas Përvathit, artisti e shndërronte peizazhin në një mënyrë për të përcjellë emocionet dhe dashurinë për vendin.
Krahas punës artistike, ai vlerësohej edhe për gatishmërinë për të ndihmuar dhe këshilluar artistët e rinj.
“Lamtumirë, profesor dhe mik i shtrenjtë”, shkruan Përvathi, duke theksuar se trashëgimia e Kujtim Buzës do të vijojë të jetojë përmes veprave të tij, kujtimeve të kolegëve dhe brezave që morën prej tij dije dhe përvojë.
Me ndarjen e tij nga jeta, arti shqiptar humbet një prej emrave të njohur të pikturës dhe veçanërisht të peizazhit.
Postimi i Përvathit:
Lamtumirë, profesor dhe mik i shtrenjtë, Kujtim Buza
Sonte arti shqiptar humbi një nga bijtë e tij më të çmuar. U nda nga jeta Kujtim Buza, artisti i madh, profesori ynë, kolegu ynë dhe, mbi të gjitha, miku ynë i shtrenjtë.
Është e vështirë të flasësh për një njeri të tillë në pak fjalë, sepse jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me artin, me pikturën dhe me dashurinë e pakufishme për vendin e tij.
Kujtim Buza vinte nga një familje me tradita të forta patriotike nga Gjakova. Ishte i biri i piktorit të madh Abdurrahim Buza, një emër i rëndësishëm i artit shqiptar. I rritur në një familje ku arti ishte pjesë e jetës së përditshme, Kujtimi e njohu pikturën që në fëmijëri. U rrit me të, e deshi, e studioi dhe më pas ia kushtoi gjithë jetën.
Pas përfundimit të studimeve, ai dha një kontribut të rëndësishëm jo vetëm si krijues, por edhe në drejtimin e institucioneve të rëndësishme të artit. Me kulturën, përvojën dhe përkushtimin e tij, ai u bë pjesë e rëndësishme e jetës artistike shqiptare dhe e zhvillimit të brezave të rinj.
Si piktor Kujtim Buza do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.
Ai ishte një mjeshtër i peizazhit. E deshi natyrën, dritën, ajrin, ngjyrën dhe atmosferën shqiptare. Në telajot e tij, peizazhi nuk ishte thjesht një pamje që duhej riprodhuar. Ai e shndërronte atë në ndjenjë, në poezi, në kujtim.
Ai pikturonte si një impresionist i lindur.
Me penelin e tij ai i thuri poezi me ngjyra Shqipërisë sonë të bukur.
Në veprat e tij ndihej dashuria për vendin, për natyrën dhe për jetën. Ngjyrat e tij kishin dritë, peizazhet e tij kishin shpirt dhe çdo tablo mbante diçka nga bota e tij e brendshme.
Por sot, kur i themi lamtumirë, nuk duam të kujtojmë vetëm artistin e madh. Duam të kujtojmë edhe njeriun.
Kujtim Buza ishte një koleg i urtë, i mençur, i zgjuar dhe i matur. Prania e tij, fjala e tij dhe përvoja e tij kishin peshë.
Ishte gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të rinjtë, t’u jepte një këshillë, t’u hapte një derë, t’u tregonte një rrugë. E kuptonte se arti nuk trashëgohet vetëm përmes veprave, por edhe përmes dijes, dashurisë dhe bujarisë që një artist ua përcjell brezave që vijnë pas tij.
Kjo është një nga pasuritë më të mëdha që ai na lë.
Sot ndihemi të trishtuar sepse humbëm një mik, një profesor, një koleg dhe një artist të madh. Por në të njëjtën kohë ndihemi me fat që e njohëm, që punuam pranë tij, që dëgjuam fjalën e tij dhe që patëm mundësinë të ndajmë me të një pjesë të rrugëtimit tonë artistik e njerëzor.
Njerëz të tillë nuk largohen plotësisht.
Ata mbeten në veprat që lanë pas, në kujtimet e miqve dhe kolegëve, në brezat që mësuan prej tyre dhe në çdo telajo ku vazhdon të jetojë drita që ata dinin ta shihnin.
Kujtim Buza do të mbetet në historinë e pikturës shqiptare si një nga mjeshtrit e medhenj te peizazhit, si një artist që e deshi natyrën dhe Shqipërinë dhe që me ngjyrat e tij i dha asaj një bukuri të veçantë.
Sot peneli i tij ka heshtur.
Por ngjyrat e tij nuk do të heshtin kurrë.
Ato do të vazhdojnë të flasin për të, për dashurinë e tij ndaj artit, për Shqipërinë që ai e pa dhe e pikturoi me aq shumë dashuri.
Lamtumirë, i dashur profesor.
Lamtumirë, i dashur koleg.
Lamtumirë, mik i shtrenjtë.
U prehsh në paqe, Kujtim Buza.
Vepra jote do të mbetet dhe kujtimi yt do të jetojë gjatë mes nesh.
Mirënjohje të përjetshme për artistin, respekt të thellë për profesorin dhe dashuri për mikun që ishe.







