Konflikti i madh për Aeroportin e Vlorës ka marrë një kthesë të papritur. Një muaji pasi njoftoi proçedurën për zgjidhjen e kontratës, duket se qeveria ka bërë një hap pas duke u ulur me konçesionarin dhe pronarët e tij për të ballafaquar pretendimet e palëve.
Kapitali ka mësuar se një ditë më parë, ministria e Infrastrukturës ka zhvilluar një takim zyrtar me shoqërinë konçesionare Vlora International Airport dhe avokatët e dy pronarëve të saj, Pacollit dhe Ademit.
Burime për Kapitalin thanë se takimi është zhvilluar në një atmosferë pozitive. Edhe pse nuk është marrë ende asnjë vendim zyrtar për ndërprerjen e proçedurës së prishjes së kontratës, ministria e Infrastrukturës dhe konçesionari kanë rënë dakord që të shqyrtojnë një plan zgjidhje me mirëkuptim të konfliktit.
Sipas burimeve, brenda pak ditësh shoqëria konçesionare do të dërgojë një plan të detajuar për zgjidhjen e ngërçit, ku do të jetë i përcaktuar grafiku i ri i punimeve si dhe afatet për përfundimin e tyre.
VIA do të kërkojë rinovimin e lejes së ndërtimit, afati i të cilës ka përfunduar pak muaj më parë, si dhe do të japë garancitë për përfundimin e punimeve sipas planit, që do të paraqesë. Ndërkohë ministria do të vendosë nëse plani është bindës për zgjidhjen e ngërçit apo do të vazhdojë me proçedurën e zgjidhjes së kontratës.
Kapitali ka mësuar se zhvillimi më interesant në takimin e një dite më parë, ka qenë dakortësia mes avokatëve të dy aksionerëve në konflikt, Pacolli dhe Ademi. Të dy palët kanë rënë dakord se do të mbështesin planin e përbashkët që VIA do t’i paraqesë ministrisë, ndërkohë që konfliktin mes tyre dhe pretendimet që kanë ndaj njëri tjetrit do t’i zgjidhin në gjykatë pa cënuar zbatimin e planit. Madje avokatët e huaj të Pacollit, sipas burimeve, kanë rënë dakord që të njohin Vegim Hoxhën si administratorin e kompanisë.
Mbetet për t’u parë nëse ky zhvillim i ri do të çojë në një zgjidhje me mirëkuptim të ngërçit të madh në aeroportin e Vlorës, diçka që deri më tani është parë si e pamundur.
Vendimi përfundimtar tashmë i takon qeverisë, e cila do të duhet të bëjë llogaritë se cilën nga rrugët do të zgjedhë, prishjen e kontratës apo arritjen e një marrëveshje me konçesionarin duke i dhënë atij edhe një mundësi të re për të përfunduar ndërtimin e aeroportit sipas një afati të ri, që mund të zgjatet me 8 deri në 10 muaj.
Llogaria këtu nuk është e thjeshtë. Edhe nëse do të vendoset për zgjidhjen e kontratës, sërish kjo nuk do të kishte garanci për përfundimin e punimeve në një kohë më të shpejtë.
Vendimi i qeverisë për ta zgjidhur kontratën do të kontestohej nëpër gjykata nga palët e përfshira dhe do të mbetej peng i proçeseve të shumta gjyqësore duke zvarritur ndërtimin e aeroportit. Ndërkohë që zgjidhja do të kishte dhe rrezikun e arbitrazhit.
Të gjitha këto do të bëhen më të qarta gjatë ditëve në vijim, por tashmë një gjë është e sigurtë. Palët kanë filluar të negociojnë në përpjekje për gjetjen e një zgjidhje.







