Ballina Politika Presioni ndaj Gjykatës së Lartë për Erion Veliajn dhe precedenti i Fredi...

Presioni ndaj Gjykatës së Lartë për Erion Veliajn dhe precedenti i Fredi Belerit

61
0

Çështja që shtrohet më datë 15 shtator nuk është më vetëm nëse Erion Veliaj duhet të qëndrojë apo jo në burg.

Çështja është nëse Gjykata e Lartë do të vendosë e lirë nga presioni politik. Sepse ndërsa gjykata po përgatitet të japë vendimin e saj, Kryeministri del publikisht dhe shpjegon pse Erion Veliaj duhet të jetë jashtë qelisë. Tirana duhet të qeveriset, qyteti nuk mund të mbetet pa kryetarin e zgjedhur dhe situata është e papranueshme.

Kjo nuk është më thjesht një deklaratë politike. Në kontekstin e një vendimi që pritet nga Gjykata e Lartë, është një mesazh i drejtpërdrejtë për gjykatën.Dhe pyetja që lind është e thjeshtë. A do ta mbajnë dot gjyqtarët e Gjykatës së Lartë këtë presion?

Sepse përpara tyre është një precedent që nuk mund të fshihet. Ai quhet Fredi Beleri.

Fredi Beleri ishte kandidat i opozitës dhe më pas kryetar i zgjedhur i Himarës. U arrestua dy ditë para zgjedhjeve për një akuzë për korrupsion aktiv në zgjedhje, lidhur me pretendimin për blerjen e tetë votave. Ai fitoi zgjedhjet, por nuk u betua. Nuk e ushtroi asnjë ditë mandatin.

Kur Beleri kërkoi që arresti në burg të konsiderohej joproporcional me të drejtën e tij për t’u zgjedhur, Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi këtë argument. Ajo tha se masa e arrestit e kufizonte të drejtën e tij për t’u zgjedhur, por e konsideroi këtë kufizim të ligjshëm. Pra, Kushtetuesja tha në thelb diçka shumë të rëndësishme. Fakti që je kryetar bashkie i zgjedhur nuk të jep imunitet nga arresti në burg.

A po përdoret një problem i krijuar nga vetë Erion Veliaj si arsye për të kërkuar ndryshimin e masës së tij të sigurimit? Nëse qyteti duhet të qeveriset, ligji duhet të sigurojë mekanizmin për këtë.

Por nuk mund të jetë gjykata ajo që duhet të zgjidhë një problem administrativ duke liruar një person nga paraburgimi. Sepse nëse ky standard pranohet, atëherë Fredi Beleri bëhet edhe më i vështirë për t’u shpjeguar.

Në Himarë, qyteti vazhdoi të funksiononte edhe pse kryetari i zgjedhur ishte në burg. Dhe Gjykata Kushtetuese tha se kjo rrethanë nuk e bënte automatikisht arrestin joproporcional. Sot na thuhet se Tirana nuk mund të qeveriset nëse Veliaj qëndron në burg.

Dy kryetarë bashkie. Dy mandate. Dy masa arresti. Dy standarde?

Kjo është ajo që Gjykata e Lartë duhet të shmangë me çdo kusht.

Sepse nëse sot do të lirohet Erion Veliaj, vendimi duhet të bazohet në ligj dhe në rrethanat konkrete të çështjes së tij, jo në presionin politik dhe jo në faktin se ai është kryetar i Bashkisë së Tiranës. Përndryshe, mesazhi që do të mbetet është shumë i keq.

Erion Veliaj merr peng Bashkinë e Tiranës që të dalë nga burgu

Kur kryetari është i opozitës, mandati nuk e mbron nga burgu. Kur kryetari është i mazhorancës, mandati bëhet argument për ta nxjerrë nga burgu.

Dhe kjo do të ishte pikërisht ajo që një sistem drejtësie nuk duhet të lejojë.

Prandaj pyetja e vërtetë e këtyre ditëve nuk është vetëm a do të lirohet Erion Veliaj. Pyetja është a do ta mbajë dot Gjykata e Lartë presionin politik që po ushtrohet mbi të?

Sepse tani gjyqtarët nuk kanë përpara vetëm dosjen e Erion Veliajt. Ata kanë përpara edhe precedentin Beleri.

Këta gjyqtarë  kanë një përgjegjësi shumë më të madhe se sa fati i një kryetari bashkie. Ata kanë përpara pyetjen nëse në Shqipëri ka një standard për të gjithë, apo nëse standardi ndryshon kur ndryshon krahu i pushtetit.

Por këtu fillon problemi i madh i sotëm. Fredi Beleri ishte opozitë, ndërsa Erion Veliaj është pjesë e mazhorancës.

Atëherë, për Fredi Belerin, mandati i fituar në zgjedhje nuk mjaftoi për ta nxjerrë nga burgu. Sot, për Veliajn, po dëgjojmë se pikërisht mandati dhe nevoja për të qeverisur Tiranën duhet të bëhen arsye për lirimin e tij.

Çfarë ka ndryshuar? Ligji? Kushtetuta?Apo vetëm emri i kryetarit të bashkisë dhe krahu politik që përfaqëson?

Kjo është pyetja që duhet të bëjë sot çdo njeri që beson te barazia para ligjit.

Sepse Fredi Beleri nuk kishte më pak vota. Nuk kishte një mandat më pak të vlefshëm. Nuk përfaqësonte një qytet më pak të rëndësishëm.

Por ishte në opozitë. Veliaj është në pushtet.

Dhe tani, përpara vendimit të Gjykatës së Lartë, pushteti po shfaqet publikisht për të argumentuar pse kryetari i tij duhet të jetë i lirë. Kjo është pikërisht ajo që e bën situatën kaq të rrezikshme.

Në një demokraci normale, Kryeministri nuk duhet t’i shpjegojë Gjykatës së Lartë se çfarë duhet të bëjë për të zgjidhur një problem politik. Gjykata duhet të vendosë nëse masa e sigurimit është e ligjshme dhe proporcionale. Jo nëse vendimi i saj i pëlqen apo jo Kryeministrit.

Dhe sidomos jo nëse vendimi krijon apo jo një problem për qeverisjen e Bashkisë së Tiranës. Sepse Bashkia nuk është pa zgjidhje.

Për një kohë të gjatë, ajo është administruar përmes delegimit të kompetencave. Vetë Veliaj, nga qelia, vendosi së fundmi t’ia heqë Anuela Ristanit kompetencat që kishte marrë për drejtimin e bashkisë. Dhe tani, pikërisht pasi krijohet kjo situatë, na thuhet se Tirana nuk mund të qeveriset pa Veliajn. Ky argument alla Ndreca detyron një pyetje.

Drejtësia nuk provohet kur gjykata vendos kundër kundërshtarit tënd. Drejtësia provohet kur gjykata duhet të vendosë për njeriun tënd. Dhe sot, më shumë se kushdo tjetër, këtë provë e ka përpara Gjykata e Lartë./CNA