Ballina Opinion Mjeku që dëgjon

Mjeku që dëgjon

48
0

Nga Lutfi Dervishi 

Ti e lë veten në dorë të një mjeku. E ke zgjedhur vetë, i beson dhe për 13 vite me radhë ndjek me përpikëri terapinë e tij. Por mjeku gabon. Tek e fundit, njeri është edhe ai.

Problemi është se gabimet përsëriten, gjendja sa vjen e përkeqësohet dhe terapia thjesht nuk funksionon. Ilaçet kushtojnë gjithnjë e më shumë, analizat po ashtu, ndërsa recetat duken se shkruhen për të pasuruar farmacistin e jo për të shëruar pacientin.

Ti ankohesh, por Mjeku të thotë me qetësi: “Sëmundja vjen me okë e ikën me derhem. Duhet durim.” Ti vazhdon të ankohesh, por Ai të bind se në fakt je përmirësuar dukshëm krahasuar me 2013, thjesht nuk po e kupton sa mirë je.

Në fund, trupi nuk mban më. Reagon, lëngon dhe proteston.

I ndodhur nën presion, Mjeku më në fund njofton lajmin e madh. Por reagimi i tij nuk është ndryshimi i terapisë, as rishikimi i diagnozës së gabuar, as anulimi i recetave të dëmshme.

Mjeku ka vendosur të ndryshojë… komunikimin. “Tani,” – thotë, – “do të të dëgjoj.” “Të jap Besën e burrit se do të jem pranë teje besnikërisht.

Madje krijon edhe një dhomë të posaçme dëgjimi dhe aty vendos një pasqyrë të madhe, ku jo vetëm mund të dëgjojë për dhimbjen, por edhe ta shohë atë.

Pacienti afrohet te pasqyra, e sheh veten, kthehet, del nga dhoma…

Mjeku mbetet vetëm në dhomën e dëgjimit dhe vazhdon t’i flasë pasqyrës…