Ballina Aktualitet “Shtatzëna nga Pogradeci, viktimë e korrupsionit”, profesor Susaj: Në këtë shesh do...

“Shtatzëna nga Pogradeci, viktimë e korrupsionit”, profesor Susaj: Në këtë shesh do të festojmë shumë shpejt rënien e qeverisë

51
0

Profesor Lush Susaj ka mbajtur një fjalim para protestuesve të mbledhur për të 93-tën ditë radhazi para Kryeministrisë, duke bërë thirrje për pjesëmarrje më të madhe në protestat e ardhshme.

Susaj deklaroi se protestuesit do të vijojnë qëndresën deri në rrëzimin e qeverisë, ndërsa e cilësoi këtë periudhë si një nga epokat më të këqija të vendit. “Sot jemi shumë, por nesër do të jemi më shumë. Do të festojmë rënien e qeverisë më të keqe të Shqipërisë, mbylljen e një epoke të keqe. Kjo ditë do të jetë e afërt dhe Zoti e sjelltë sa më parë”, u shpreh ai.

Profesori u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se tubimi, sipas tij, nuk është në funksion të asnjë partie politike. “I bëj thirrje çdo shqiptari të vijë në Sheshin e Lirisë, të hapim rrugën e prosperitetit dhe Shqipërisë demokratike. S’i kemi kujt borxh. S’jemi për parti këtu. I kemi lënë në kacekët e vjetër të gjitha partitë”, tha Susaj.

Ai iu drejtua gjithashtu pedagogëve, mësuesve dhe studentëve, duke i ftuar të marrin pjesë në protestë dhe të shprehin publikisht shqetësimet e tyre.

“I bëj thirrje profesorëve dhe mësuesve të vijnë në protestë, të marrin mikrofonin dhe të flasin. Ejani dhe merreni mikrofonin, se ai është për ju. I bëj thirrje studentëve që të reagojnë”, deklaroi ai. Në fjalën e tij, Susaj foli edhe për situatën në sistemin shëndetësor, duke iu referuar rastit të një gruaje nga Pogradeci që, sipas tij, humbi jetën së bashku me foshnjën e saj.

“Sot një nënë nga Pogradeci ka vdekur bashkë me foshnjën e saj. Sistemi i shëndetësisë ka mbetur në kthetrat e korrupsionit. Ajo grua vdiq për shkak të korrupsionit”, u shpreh Susaj.

Ai e mbylli fjalimin me një apel për drejtësi për nënën dhe foshnjën, duke kërkuar që rasti të hetohet dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi. “Regjistrojeni këtë viktimë të korrupsionit. Dritë i bëftë shpirti i saj. Zoti e marrtë hakun e saj mbi të gjithë zuzarët dhe politikanët e korruptuar”, tha profesor Lush Susaj.