Ballina Aktualitet ‘Për vite me radhë u kanë pirë gjakun njerëzve’/ Protestuesi: Ndërgjegja qytetare...

‘Për vite me radhë u kanë pirë gjakun njerëzve’/ Protestuesi: Ndërgjegja qytetare që po zgjohet po jep shpresë

46
0

Tensionet dhe vendosmëria qytetare mbeten të larta në qendër të kryeqytetit, ku protesta ka hyrë në ditën e saj të 93-të.

Pa asnjë shenjë tërheqjeje, sheshi vazhdon të ushtojë nga thirrjet për ndryshim dhe drejtësi, duke u kthyer në një arenë qëndrese kundër asaj që protestuesit e quajnë një “sistem hajdutësh dhe spekulatorësh”.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj, realiteti socio-politik mbetet i pandryshuar, por ajo që ka njohur rritje është revolta e ndërgjegjes qytetare.

Gjatë një fjalimi të mbajtur para turmës, një i ri tha se ky nuk është thjesht një grumbullim i radhës, por një lëvizje e thellë për të “shëruar vendin” dhe për të shkulur nga rrënjët korrupsionin që e ka kthyer padrejtësinë në një normalitet të përditshëm.

Mirëmbrëma të gjithëve! Dita e 93-të në këtë shesh. 93 ditë me të njëjtat halle. 93 ditë me të njëjtat probleme. 93 ditë përballë një realiteti që nuk ka ndryshuar. Nga dje në sot, asgjë nuk ka ndryshuar, thjesht kemi një ditë më shumë. Një ditë më shumë që kërkojmë tërheqje. Një ditë më shumë që kërkojmë ndryshim. Një ditë më shumë që kërkojmë një të ardhme më të mirë. Dhe deri sot, përgjigjja ka munguar. Por një gjë nuk ka munguar, vendosmëria! Sepse një ditë në shesh nuk është asgjë, dy ditë nuk janë asgjë, por 93 ditë dëshmojmë se ne nuk dorëzohemi. 93 ditë kemi treguar se frika nuk mund të jetë kurrsesi ligj për këtë vend.

Ne tregojmë se kjo protestë nuk është vetëm për një ditë, por është një revoltë e ndërgjegjes qytetare. Dhe kjo revoltë nuk vjen për të shkatërruar këtë regjim, por vjen për të shëruar këtë vend. Për ta shkulur nga rrënjët një sistem hajdutësh, spekullatorë dhe me vulë që e ka kthyer padrejtësinë në normalitet, dhe qytetarin në spektator. Dhe kur ky sistem ia ka thithur shpirtin këtij vendi për vite, nuk mjafton vetëm të mbulosh plagën. Sepse ky sistem korruptiv është një gangrenë. Dhe nuk zhduket vetëm duke e fshehur.

 Gangrena kërkon ndërhyrje, kërkon guxim, kërkon pastrim të thellë në rrënjë. Dhe pikërisht këtu fillon ndryshimi, kur qytetari zgjohet dhe nuk hesht më! Kur nuk pranon të bëjë një sy qorr para skandaleve të kësaj qeverie. Dhe nuk pranon më të jetojë me të keqen si diçka normale. Kjo protestë ka treguar se ndërgjegjja shqiptare mund të zgjohet. Dhe kjo ndërgjegje mund të vazhdojë, do të vazhdojë të rritet, të forcohet dhe të na rikthejë besimin tek ajo për të cilën të gjithë menduam se kishim humbur shpresën: një Shqipëri normale dhe e drejtë.

 Prandaj thirrja është për çdo qytetar. Për ata që janë këtu në shesh, për ata që na ndjekin nga ekranet, për shqiptarët kudo që ndodhen. Për çdo njeri që është prekur nga padrejtësia dhe korrupsioni. Për çdo qytetar që është lënë në harresë nga kjo qeveri. Të mos e pranojmë më këtë realitet si normalitet. Të mos na përpuzin më shumë duke na thënë se problemet që hasin shqiptarët sot vijnë nga rritja e pritshmërive.

Sepse çdo ditë në këtë shesh ka rëndësi. Sepse çdo ditë që qytetari ngre zërin, është një ditë më shumë për demokracinë. Çdo ditë që kërkohet llogari, Shqipëria është një hap më pranë ndryshimit. Dhe kjo ndërgjegje qytetare që për 93 ditë i ka dhënë shpresë shqiptarëve, nuk do të ndalet këtu. Kjo protestë do të hapë në Shqipëri një kapitull të ri. Një kapitull ku do të jenë vetëm ata që e duan këtë vend, dhe jo ata që për vite me radhë i kanë pirë gjakun kësaj toke dhe njerëzve të saj! Ky kapitull do të shkruhet nga qytetarët, nga ata që nuk ulin kokën, nga ata që nuk heshtin, nga ata që nuk dorëzohen. Sepse Shqipëria është e jona, dhe për të ardhmen e saj vendosim ne!