Familjarët e dy personave që humbën jetën tragjikisht në Karmë të Vaut të Dejës, së bashku me banorë të zonës, janë ngritur në protestë përpara qendrës shëndetësore lokale. Revoltës së tyre i ulëret një e vërtetë e dhimbshme, qw wshtw mungesa e dhënies së ndihmës së parë, mungesa e stafit mjekësor, mungesa e autoambulancave dhe mungesë e qendrës shëndetësore.
Ngjarja e rëndë mori jetën e Gjokë Dedës, 46 vjeç, me profesion elektricist, dhe Sokol Prekës, 40 vjeç, pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja. Të dy ranë në kontakt me rrymën elektrike gjatë punimeve në rrjet, duke ndërruar jetë njëri në vendngjarje dhe tjetri pak minuta më vonë.
Por ndërsa në Vau i Dejës protestohet mbi tragjedi njerëzore dhe familjet vajtojnë për mungesën e një ambulance apo të një mjeku të vetëm, Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, vazhdon të shijojë lartësitë e Olimpit ku e ka vendosur veten. E renditur së fundmi në listat e mjekëve më të mirë në botë për tumoret, zonjës Sala me siguri i duhet të bëjë një sforcim të madh mendor për të zbritur te këto probleme krejt banale të tokës. Duhet të jetë vërtet e vështirë të kuptosh se në Shqipëri njerëzit ndërrojnë jetë rrugëve sepse mungon një autoambulancë apo një qendër shëndetësore funksionale, kur nga lartësitë e shkencës elitare ndërkombëtare gjërat duken aq bukur e me shkëlqim.
Ndoshta do të duhej që ndonjë sekretare guximtare në ministri ta marrë mënjanë zonjën ministre e t’i pëshpërisë lehtë se në këtë vend ekzistojnë edhe hallë të tilla. Sepse ndërsa statistikat e suksesit personal të ministres shkëlqejnë nëpër lajme, realiteti i dhimbshëm i Vaut të Dejës të kujton se sa mbrapa mbetet shëndetësia shqiptare./vna







