Ballina Kronika Policia konfirmon arrestimin e Nexhmedin Danaj në Dubai

Policia konfirmon arrestimin e Nexhmedin Danaj në Dubai

57
0

Policia e Shtetit ka konfirmuar zyrtarisht arrestimin provizor në Emiratet e Bashkuara Arabe të 57-vjeçarit Nexhmedin Danaj, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Operacioni i koduar “The Wanted” u finalizua nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabin, pas masës “Arrest në burg” të caktuar nga GJKKO në prill 2026.

Sipas policisë, Danaj akuzohet se në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal ka koordinuar e bashkëfinancuar trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Bashkimit Evropian. Hetimet zbuluan se 57-vjeçari përdorte metoda të sofistikuara financiare dhe transferta digjitale për pagesat e lëndëve narkotike në disa shtete, ndërsa tashmë po vijojnë procedurat për sjelljen e tij përpara drejtësisë shqiptare.

Njoftimi:

Finalizohet, në bashkëpunim me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi N. D., 57 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin prill 2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet dyshohet se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, shtetasi N. D. akuzohet se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme, në disa shtete, për blerjen e lëndëve narkotike.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit për finalizimin e procedurave për ekstradimin e 57-vjeçarit në Shqipëri.