Merkato e verës në Itali është mbyllur me një largim shumë të papritur nga radhët e Interit, që shumëkush e ka cilësuar më të bujshmin.
Njeriu-merkato i klubit, Piero Auzilio, i ka dhënë lamtumirën zikaltërve duke mbyllur dje marrëveshjen me ta.
Sipas “Corriere Dello Sport”, drejtuesi është ndjerë i ofenduar nga propozimi që i ka bërë Interi për rinovimin e kontratës që i përfundon në vitin 2027.
Ai kishte përfituar 1,5 milionë euro nga klubi në vitin e fundit, më shumë se 1,3 që kishte pjesë fikse, pasi kishte marrë edhe bonuse. Klubi i kishte propozuar zgjatjen e kontratës deri në vitin 2028, me një rrogë prej 1,4 milionë eursh në vit.
Kjo e kishte bërë Auzilion të ndjehej pak i vlerësuar, pasi mendonte se kishte ardhur radha që ai të nënshkruante kontratë afatgjatë të radhës.
Kërkesa e tij kishte qenë për kontratë trevjeçare me 1,6 milionë euro në vit dhe nuk e ka cilësuar të mjaftueshme atë që i kishte vënë përpara në tavolinë Interi.
Kështu, ai ka preferuar që të largohej në klubin ku arriti suksese të rëndësishme, ndonëse kjo situatë ka lënë të shtangur shumë prej mbështetësve zikaltër.







