Ballina Kronika Luan Muça i Delta rrëzon para hetuesve pretendimet e Vasil Bedinit të...

Luan Muça i Delta rrëzon para hetuesve pretendimet e Vasil Bedinit të Rexhina për gjobëvënie

83
0

Pronari i kompanisë Delta, Luan Muça, i cili u arrestua nën dyshimet për gjobëvënie ndaj Vasil Bedinaj, rrëzon para hetuesve pretendimet e pronarit të rrjetit të hoteleve Rexhina për gjobëvënie.

Vasil Bedinaj deklaroi për hetuesit se Luan Muça i bëri gjobë miliona euro dhe e kërcënoi të largohej nga Shqipëria brenda 48 orëve. Por Muça deklaron se këto pretendime të tij janë trillime. Ndërsa ka theksuar se konflikti mes tyre lidhet me një pronë në Palasë, ku akuzon Bedinajn që e ka përfituar përmes falsifikimit.

Pretendimet e Luan Muçës para hetuesve

Burime pranë policisë shpjegojnë për VNA se para hetuesve, Luan Muça ka pretenduar se është vënë në dijeni se shtetasi Vasil Bedinaj ka marrë leje zhvillimi në zonën e Palasës, për një pronë që është e tij, por kjo pronë ka mbivendosje me pronën e shtetasit Vasil Bedinaj.

Pronari i kompanisë Delta, Luan Muça, sipas burimeve, i është drejtuar AZHT-së duke depozituar dokumentacionin ligjor që dispononte për pasurinë e mbivendosur. Burime bëjnë me dije se AZHT, pasi ka administruar ankesën, është shprehur se do të verifikohet dokumentacioni dhe, në rast se ka mbivendosje, do të procedohet sipas ligjit, pasi në rastet kur nga verifikimet rezulton se ekzistojnë mbivendosje pronësie, subjektet nuk pajisen me leje.

Lidhur me këtë çështje, ai ka deklaruar se është telefonuar nga shtetasi Vasil Bedinaj, i cili i ka kërkuar të takoheshin dhe të diskutonin për këtë problem.

Biznesmeni Muça pretendon se ka shkuar në takim vetëm me shtetasit Mandrit dhe Klaudio Lleshaj dhe në momentin që janë takuar me Vasilin, ai i ka ofenduar nga familjarët e shtëpisë. Këtu ka nisur konflikti, por Luani nuk ka parë gjë, pasi ka dalë jashtë ambienteve të brendshme të resortit.

Në lidhje me incidentin me policinë, ka deklaruar se Mandritin e ka kapur ankthi kur është ndaluar nga policia.

Sa i përket armës së zjarrit që u gjet në makinën Range Rover me targa AM001AM, makinë e cila u aksidentua teksa largohej nga ambientet e resortit Rexhina, Luan Muça thekson se është e shtetasit Mandrit Lleshaj dhe se e disponon me leje.

Ai shpjegon më tej se gjatë konfliktit ka parë një person nga ana e Vasil Bedinaj, ku thotë se mesa ka mundur të perceptojë ishte i armatosur.

“Pretendimi i Vasil Bedinaj për shumën 5 mln euro gjobë nga ana ime është një trillim”, përfundon Muça.