Ballina Sport FIFA ndëshkon Spanjën për thirrjet anti-islame në ndeshjen ndaj Egjiptit

FIFA ndëshkon Spanjën për thirrjet anti-islame në ndeshjen ndaj Egjiptit

37
0

FIFA ka ndëshkuar Federatën Spanjolle të Futbollit pas thirrjeve antiislame të një grupi tifozësh gjatë miqësores mes Spanjës dhe Egjiptit, të zhvilluar në mars, në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës 2026.

Sipas BBC-së, Spanja duhet ta zhvillojë miqësoren e radhës me 15 për qind të kapacitetit të stadiumit të mbyllur, kryesisht në tribunat prapa portave, si dhe të paguajë një gjobë prej 20 mijë dollarësh.

Gjatë ndeshjes, e cila përfundoi 0:0, disa tifozë spanjollë brohoritën slogane diskriminuese, përfshirë thirrjen “Kush nuk kërcen është mysliman”.

Mesazhe kundër diskriminimit u shfaqën në ekranet e stadiumit, por një pjesë e tifozëve reaguan me fishkëllima.

Federata Spanjolle i dënoi publikisht thirrjet, ndërsa përzgjedhësi Luis de la Fuente i cilësoi ato si “të patolerueshme”.

Megjithatë, në mbrojtjen e saj para FIFA-s, federata argumentoi se thirrjet nuk përbënin sjellje diskriminuese. Komiteti disiplinor e hodhi poshtë këtë pretendim.

Ndëshkimi vjen në kuadër të përpjekjeve të futbollit ndërkombëtar për të luftuar racizmin dhe diskriminimin në tribuna. Federata Egjiptiane gjithashtu i dënoi thirrjet, duke i cilësuar si një akt racist të papranueshëm.