Ballina Politika 6 fakte që zbulojnë skenarin perfid të qeverisë për pagat e magjistratëve

6 fakte që zbulojnë skenarin perfid të qeverisë për pagat e magjistratëve

67
0

Debati për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve është paraqitur këto ditë si një përplasje për mënyrën e llogaritjes së tyre, për kompetencat e KLGJ-së dhe KLP-së apo për atë që duhet të ekzekutojë qeveria. Por për të kuptuar se çfarë po ndodh, historia duhet nisur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe duhet ndjekur hap pas hapi deri te projektligji i depozituar në Kuvend nga dy deputetë të Partisë Socialiste. Janë gjashtë fakte që, të vendosura njëri pas tjetrit, tregojnë një histori shumë më të qartë.

1. Kushtetuesja shfuqizoi bazën ligjore dhe përcaktoi vetë çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk vepron

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar bazën ligjore për pagat e magjistratëve, sepse ajo në thelb ulte në mënyrë të fshehtë pagën e tyre. Në të njëjtën kohë, GJK i la Kuvendit afat deri më 31 korrik për të plotësuar pjesën e shfuqizuar.

Por Gjykata Kushtetuese përcaktoi edhe diçka shumë të rëndësishme: nëse deri më 31 korrik Kuvendi nuk do ta plotësonte boshllëkun, atëherë referenca për pagat do të bëhej me bazën ligjore të mëparshme.

Kjo është vendosur pikërisht që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të kenë fuqi detyruese, sepse përndryshe do të mjaftonte që Kuvendi të mos vepronte për të mos i zbatuar ato.

2. Kuvendi nuk e zbatoi vendimin brenda afatit

Për arsye të panjohura, Kuvendi nuk e zbatoi në afat vendimin e GJK-së. Ligji i ri zëvendësues duhej të ishte depozituar, shqyrtuar, votuar, shpallur, botuar dhe të kishte hyrë në fuqi deri në afatin maksimal të 31 korrikut 2026.

Fakti që në këtë datë dy deputetë të Partisë Socialiste thjesht depozituan në Kuvend një propozim nuk është përmbushje e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi kërkonte që deri në këtë afat të ishte plotësuar pjesa e shfuqizuar, jo që procedura parlamentare vetëm të kishte nisur.

3. KLGJ dhe KLP nuk vepruan në boshllëk: zbatuan atë që kishte urdhëruar GJK

Në këtë situatë, KLGJ dhe KLP kanë kompetencën ligjore për të caktuar pagat. Ato nuk e bëjnë këtë në boshllëk dhe as me diskrecion.

Ato zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse është vetë GJK ajo që ka urdhëruar se, në mungesë të ligjit të rifreskuar, zbatohet automatikisht referenca e mëparshme.

4. Qeveria thotë se po zbaton ligjin, por nuk zbaton vendimin e Kushtetueses

Pretendimi i qeverisë është se ajo po zbaton ligjin, sepse pagat caktohen me ligj. Kjo është e saktë. Por qeveria “harron” se tashmë ekziston një akt më i lartë se ligjet e zakonshme të Kuvendit: vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Dhe ky vendim nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka përcaktuar se cili ligj do të zbatohet nëse Kuvendi nuk e plotëson boshllëkun brenda afatit. Ky është ligji i mëparshëm, përpara atij që u shfuqizua.

Pra, konflikti nuk është se kush ka të drejtë të shpikë një formulë të re pagash. Formula që duhet zbatuar në mungesë të ligjit të ri është përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese. Për këtë arsye, thelbi i asaj që po ndodh është moszbatimi nga ana e qeverisë i një vendimi të GJK-së.

5. Projektligji i PS-së u jep magjistratëve një rritje minimaliste dhe rikthen të njëjtin problem

Por ajo që e demaskon edhe më shumë qeverinë është pikërisht projektligji i depozituar në Kuvend nga dy deputetët e PS-së.

Në këtë projektligj, pagat e magjistratëve kanë një rritje minimaliste, sa për të thënë se është reflektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por projekti paraqet të njëjtat simptoma antikushtetuese si ligji që u shfuqizua.

Ligji i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese në thelb kishte ulur në mënyrë të fshehtë pagat e magjistratëve. Për këtë arsye, Kuvendi duhej të miratonte një ligj që t’i riekuilibronte dhe t’i rriste ato siç ishin dikur, përpara vitit 2023.

Në projektligjin e ri, Kuvendi thjesht i ka rritur shumë pak, pa plotësuar udhëzimet që GJK ka dhënë në arsyetimin e saj.

6. Për të gjithë rritje minimale, përveç vetë Gjykatës Kushtetuese

Dhe pikërisht këtu gjendet pjesa më tinëzare e projektligjit të propozuar nga PS.

Në të gjithë sistemin e magjistratëve, pra për prokurorët dhe gjyqtarët e të tri niveleve, rritja është minimale. Por ka një përjashtim. Është një institucion të cilit rritja i është bërë ashtu siç duhej, pra në nivelin që udhëzonte vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ky institucion është vetë Gjykata Kushtetuese.

Pra, nga të gjithë magjistratët, projektligji i PS-së ka zgjedhur t’i bëjë qejfin vetëm GJK-së. Ndërsa gjyqtarëve dhe prokurorëve të tri niveleve u propozohet një ligj që mbart të njëjtin problem të ligjit të shfuqizuar, për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pagat rregullohen në nivelin e duhur.

Nëse Kuvendi e miraton propozimin e PS-së në këtë formë, magjistratët e tjerë mund t’i drejtohen përsëri Gjykatës Kushtetuese. Nëse ligji i ri paraqet të njëjtat probleme antikushtetuese si ligji i shfuqizuar, një kërkesë e re përpara GJK-së bëhet pothuajse e sigurt.

Vetëm se këtë herë situata do të jetë ndryshe. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për pagat e tyre, me ligjin e ripropozuar janë në rregull.

Dhe pikërisht këtu mund të jetë lëvizja dinake e projektligjit: ta vendosë Gjykatën Kushtetuese në një situatë ku do t’i duhet ose të shfuqizojë ligjin e ri, bashkë me rregullimin e pagave të veta, ose të mos e shfuqizojë, duke lënë në fuqi një ligj që mbetet antikushtetues për magjistratët e tjerë.

Kjo është arsyeja pse historia nuk mbaron te debati nëse gjyqtarët dhe prokurorët duhet të marrin më shumë apo më pak para. Ajo nis me një ligj që uli në mënyrë të fshehtë pagat, vazhdon me Gjykatën Kushtetuese që e shfuqizoi dhe i dha Kuvendit afat për ta zëvendësuar, me Kuvendin që nuk e zbatoi vendimin brenda 31 korrikut dhe me qeverinë që sot nuk zbaton referencën që GJK kishte urdhëruar të hynte automatikisht në fuqi.

Dhe përfundon me një projektligj të ri të PS-së që u jep një rritje minimale gjyqtarëve dhe prokurorëve, por kujdeset që për një institucion të vetëm vendimi i Kushtetueses të zbatohet siç duhet: për vetë Gjykatën Kushtetuese.

Shkurt, një skemë që mund të përmblidhet me një shprehje: “blerje me ligj” e Gjykatës Kushtetuese./VNA