Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një nga aktet më të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetësisë.
Haxhiu ka thënë se më 7 shtator 1990, në rrethana të rënda represioni dhe përndjekjeje politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, duke i dhënë bazë kushtetuese vullnetit politik të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë.
“Teksa Serbia po rrënonte autonominë e Kosovës, po shuante institucionet e saj dhe po përpiqej ta nënshtronte me dhunë vullnetin politik të qytetarëve, Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij. Pikërisht për këtë, rëndësia e saj shkon përtej tekstit juridik që u miratua atë ditë. Ajo dëshmon se edhe në kushtet e pushtimit dhe të represionit, Kosova kishte njerëzit, dijen dhe vullnetin për t’i dhënë formë juridike përcaktimit të saj politik”, ka shkruar Haxhiu.
Për këtë ka reaguar, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, e cila ka kritikuar ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila sot ka përkujtuar Kushtetutën e Kaçanikut.
Deputetja Deliu-Kodra në rrjetin social Facebook, veprimin e Haxhiut e ka vlerësuar si hipokrizi.
“Sa hipokrizi: ta përkujtosh Kushtetutën e Kaçanikut, të flasësh për guximin e delegatëve dhe për themelet e Republikës, ndërsa sot ta mbash shtetin në krizë duke shpërfillur Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Delegatët e Kaçanikut e sfiduan Serbinë për ta themeluar Republikën; sot po sfidohet Kushtetuta vetëm për ta ruajtur pushtetin”, shkruan Deliu-Kodra.
Ndryshe, më 7 shtator të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.







