Ballina Aktualitet Kadastra jep mbi një mijë vendime legalizimi në vetëm një muaj, ja...

Kadastra jep mbi një mijë vendime legalizimi në vetëm një muaj, ja si po njoftohen qytetarët

61
0

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bërë të ditur se gjatë muajit gusht janë dhënë 3.245 vendime legalizimi për qytetarët përfitues.

Sipas ASHK-së, procesi i njoftimit të përfituesve tashmë realizohet në mënyrë elektronike. Vendimi i Legalizimit i shkon çdo përfituesi direkt në profilin e tij në platformën e-Albania, i pajisur me vulë digjitale dhe nënshkrim elektronik.

Kjo procedurë u mundëson qytetarëve të aksesojnë dokumentin e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa qenë e nevojshme të paraqiten fizikisht pranë zyrave të Kadastrës për të marrë vendimin.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën gjithashtu të ditur se listat emërore të qytetarëve që kanë përfituar nga vendimet e legalizimit janë publikuar në faqen zyrtare të institucionit, në rubrikën “Afishime”. Listat janë të ndara sipas Drejtorive Vendore përkatëse, duke i dhënë mundësi qytetarëve të kontrollojnë emrin e tyre dhe të marrin informacion mbi vendimin e legalizimit.

Ndërkohë, qytetarët përfitues mund ta gjejnë vendimin në profilin e tyre në e-Albania, ndërsa listat e publikuara online shërbejnë për të informuar qytetarët për përfituesit e procesit të legalizimit.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës u bën thirrje qytetarëve që të konsultojnë listat e publikuara dhe profilet e tyre në e-Albania, për të verifikuar nëse janë përfshirë në vendimet e legalizimit të dhëna përgjatë muajit gusht.