Ballina Rajoni ​Qeveria serbe propozon shpërndarjen e Kuvendit, vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme

​Qeveria serbe propozon shpërndarjen e Kuvendit, vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme

54
0

Qeveria e Serbisë propozoi të hënën shpërndarjen e Parlamentit, duke nisur procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pas tyre, presidenti Aleksandar Vuçiq mund të kalojë në postin e kryeministrit, raporton AP.

Votimi konsiderohet një sprovë për pushtetin e fuqishëm të kryetarit aktual, pas gati rreth dy vjetëve të protestave masive nëpër rrugët e Serbisë.

Zgjedhjet pritet të zhvillohen në një atmosferë tensionesh të larta politike. AP raporton se populistët në pushtet synojnë ta ruajnë kontrollin, pavarësisht pakënaqësisë së përhapur në vend.

Vuçiq pritet ta caktojë zyrtarisht datën gjatë kësaj jave. Ai ka thënë se votimi me shumë gjasë do të mbahet më 25 tetor.

Protestat në Serbi nisën pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Protestuesit kërkuan përgjegjësi për shembjen e strehës prej betoni dhe fundin e korrupsionit, të cilin e konsiderojnë shkaktar të punimeve të dobëta gjatë rinovimit.

Protestat që nisën pas tragjedisë në Novi Sad, disa prej të cilave mblodhën qindra mijëra njerëz, e tronditën Vuçiqin më shumë se asnjëherë gjatë 14 vjetëve të tij në pushtet.

Ai ka ndërmarrë masa të ashpra kundër protestuesve, duke nxitur shqetësime ndërkombëtare për dhunën policore dhe ndalimet arbitrare ndërsa i ka akuzuar ata që sipas tij qëndrojnë pas protestave se synojnë ta “shkatërrojnë shtetin”.

Lista parlamentare e mbështetur nga studentët pritet të përfshijë profesorë universitarë dhe ekspertë.

Vuçiq nuk mund të kandidoj përsëri për president, pasi ka përfunduar pothuajse dy mandate të plota. Zgjedhjet e parakohshme presidenciale do të mbahen ndaras.

Ai ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit, në mënyrë që t’i bashkohet fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Presidenti dhe Partia Progresive Serbe, me orientim të djathtë, janë akuzuar për kufizimin e lirive demokratike dhe lidhje me krimin e organizuar. Vuçiqi i ka mohuar këto akuza.

Populistët e prirë nga ai kanë marrë gradualisht kontrollin e institucioneve dhe mediave kryesore në Serbi, pasi erdhën në pushtet më 2012, raporton AP, që gjithashtu shkruan se procesi i anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian ka ngecur gjatë qeverisjes së Vuçiq, ndërkohë që shton se ai ka ruajtur lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Gjatë javës së fundit, Vuçiq është përballur me trysni shtesë nga BE-ja për shkak të nderimeve publike ndaj kriminelit të luftës Ratko Mladiq.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska u varros të hënën si hero në Serbi, pavarësisht dënimit nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara.