Ballina Dossier ​“S’ishim të frikësuar, kishim obligim”, detaje nga dita e shpalljes së Kushtetutës...

​“S’ishim të frikësuar, kishim obligim”, detaje nga dita e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut

63
0

Në 36-vjetorin e saj, ende edhe sot Dita e Kushtetueses së Kaçanikut cilësohet si një nga datat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës.

Ilaz Ramajli, i cili në atë kohë ishte nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, tha për KosovaPress se 7 shtatori është një datë e shënuar në historinë e re të Republikës së Kosovës.

Ramajli tha se për këtë ditë ishin të angazhuar një numër i madh i njerëzve në pritjen e delegatëve, vendosjen e tyre nëpër shtëpi dhe sjelljen e tyre në orën e caktuar këtu.

Derisa tregon se emocionet e tyre ishin të jashtëzakonshme dhe të përziera, tregon më shumë detaje nga ajo ditë.

“Fiks në orën 8:00 ekzistojnë regjistrime dhe fotografi. Në këtë sallë jemi mbledhur delegatët dhe kemi mbajtur mbledhjen. Shumë herë më është bërë pyetje ‘A jeni frikësuar’. Do të thotë, unë t’iu them të drejtën, ne vetëm për një gjë jemi frikësuar: që a thua po hasim në pengesë ose po na bëhet e pamundur për me e nxjerrë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asnjëri prej shokëve, të midis delegatëve, nuk ka menduar për vete. Do të thotë, ajo ka qenë, më kujtohet, fare e parëndësishme në atë kohë, por vetëm ta kryejmë detyrën për të cilën ne ishim të detyruar dhe kishim për obligim të dalim faqe bardhë para popullit të Kosovës”, tha Rrahmajli.

Ndërsa për situatën aktuale politike, ai tha se nuk është më pak e rrezikshme, derisa bëri thirrje që akterët politikë të tejkalojnë mospajtimet, të krijojnë unitet dhe të veprojnë në interes të Kosovës.

“Situata e tanishme unë besoj që nuk është më pak e rrezikshme sesa atëherë. Natyra e rrezikut është krejt tjetër tash. Do të thotë, duhet të kemi parasysh gjendjen brenda Kosovës, e krijuar prej mospajtimeve të partive politike, situatën në rajon që është shumë fragile e besa ka ndikim edhe situata gjeopolitike në botë. Unë besoj që ata që janë tash në krye të politikës do të gjejnë forcë që t’i tejkalojnë mospajtimet, të krijojnë një unitet i cili tani është më se i nevojshëm mes të gjithëve, t’i krijojnë institucionet dhe të veprojnë në interes të Kosovës për ditët, muajt dhe vitet që po vijnë tash”, tha tutje ai.

Në fund, ai bëri të ditur se nga 111 delegatë të përbërjes së Kuvendit, 54 prej tyre nuk jetojnë më.

Ndërkohë, qytetari Myrtezan Prushi theksoi se atëherë ishte e vështirë takimi i delegatëve në sallën e Shtëpisë së Kulturës por që ia kanë arritur me shumë sakrifica e mund.

E tashmë kur ende nuk është konstituar Kuvendi, ai potencoi se deputet po kanë vetëm interesa partiake dhe jo interesa për vendin.

“Duke marrë parasysh kohë që kemi qenë atëherë, të gjithë kemi qenë më të bashkuar, do të thotë edhe delegatët e Kuvendi. Kemi një përçarje të madhe, nuk di çka me thonë …Më shumë po kanë interesa partiake, në nivel partiak. S’po munden me u marrë vesh me njëri-tjetrin”, tha ai.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë. Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, filloi një aparteid i regjimit të Millosheviqit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë.

Kushtetuta e Kaçanikut ishte një kushtetutë e Republikës së Parë të Kosovës, e miratuar më 7 shtator 1990 nga Kuvendi i Kosovës, e njohur sipas vendit të shpalljes së saj, në Kaçanik.

Kushtetuta e Kaçanikut përbënte hapin e dytë të akteve konstitutive kushtetuese dhe politike (pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut), me të cilat u përcaktuan bazat e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Me këtë akt, në të vërtetë, shprehej avancimi i pozitës kushtetuese-politike të Kosovës nga njësia autonome në njësi të pavarur, në kuadër të bashkësisë së Jugosllavisë. Kushtetuta përbëhej nga pjesa hyrëse dhe pjesa normative. Në preambule theksoheshin shkaqet e miratimit të Kushtetutës dhe qëllimet e saj. Pjesa normative përbëhej nga 9 pjesë të shpërndara në gjithsej 140 nene. Në dispozitat e përgjithshme, Republika e Kosovës përkufizohej si “shtet demokratik i popullit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare të serbëve, myslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë.

Kushtetuta e Kaçanikut e shihte Kosovën si “anëtare të bashkësisë së Jugosllavisë” dhe e shprehte orientimin e saj për barazi me njësitë e tjera federale të ish-Jugosllavisë. Në dispozitat e tjera të përgjithshme përcaktohej pozita e qytetarit, si bartës i pushtetit, organizimi shtetëror i Republikës së Kosovës dhe atributet e shtetësisë së saj. Si organe kryesore të Republikës së Kosovës përcaktoheshin: Kuvendi i Republikës, Kryesia e Republikës, Qeveria e Republikës, gjyqet dhe prokuroritë publike, Banka Popullore dhe Gjyqi Kushtetues i Kosovës. Me Amendamentin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të vitit 1991, institucioni i Kryesisë u zëvendësua me kryetarin e Republikës, si shef individual i shtetit. Lidhur me ndryshimin e Kushtetutës përcaktoheshin zgjidhjet e njëjta me ato që i parashihte Kushtetuta e KSA të Kosovës e vitit 1974. Megjithatë, kishte një përjashtim: mundësia e ndryshimit të Kushtetutës me referendum.