Dhjetëra banorë të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë janë mbledhur mëngjesin e sotëm para zyrave të kompanisë Bankers Petroleum në Marinez, duke kërkuar për të disatën herë respektimin e kontratave dhe kryerjen e pagesave për tokat që kanë dhënë me qira.
Sipas banorëve, tokat e tyre përbëjnë një nga burimet e vetme të të ardhurave për familjet e kësaj zone, ndërsa prej kohësh ata pretendojnë se kompania nuk po respekton detyrimet e përcaktuara në kontratat e lidhura me pronarët e tokave.
Banorët thonë se kanë protestuar disa herë dhe kanë zhvilluar edhe takime me drejtues të kompanisë, përfshirë CEO-n, por deri më tani nuk kanë marrë një zgjidhje për kërkesat e tyre.
Nga ana tjetër, kompania ka pretenduar se AKBN nuk njeh disa prej shpenzimeve që lidhen me tokat, ndërsa banorëve u është kërkuar gjithashtu ndryshimi i kontratave dhe çmimit të qirasë së tokës.
Edhe gjatë ditës së sotme, përfaqësues të banorëve pritet të zhvillojnë një takim me drejtues të kompanisë. Ata paralajmërojnë se, nëse nuk do të arrihet një marrëveshje, protesta do të përshkallëzohet deri në bllokimin e vendburimeve të naftës.
Shkak i kësaj proteste është mosrespektimi, sipas banorëve, i kontratave për tokat e marra me qira nga kompania në disa fshatra të zonës, mes tyre Sheqishtë, Marinëz, Belinë, Zharrëz dhe Kallm.







