Në një lidhje të drejtpërdrejtë në një studio televizive, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë detaje të reja tronditëse lidhur me përgjimet e publikuara ku përmendet biznesmeni Roni Yeffet dhe ngrihen dyshime për trafik ndërkombëtar armësh.
Ahmetaj u shpreh se shpreson që ky hetim mjaft i ndjeshëm të kryhet në mënyrë të thelluar dhe serioze, duke rënë në duart e prokurorëve të ndershëm që ndodhen jashtë segmentit të kontrolluar nga ai që e cilësoi si “kreu i organizatës”, kryeministri Edi Rama. Ai denoncoi se brenda SPAK-ut ka me qindra denoncime të cilat janë zhytur, mbajtur peng dhe vonuar me qëllim, ndaj mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë konkretisht ky proces.
Përgjatë fjalës së tij, Ahmetaj u ndal në mënyrën se si shteti shqiptar po përdoret sipas tij në mënyrë kriminale përmes financimeve me parapagime jo transparente dhe pa asnjë tender publik. Ai deklaroi se përveç ndërmarrjes “KAYO”, një tjetër kompani e përfshirë në këtë skemë është “Advanced Arms Technology”.
Ish-numri dy i qeverisë zbuloi se vetëm mes dy dikastereve kryesore, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë dhënë deri më sot rreth 31 milionë euro pa garë dhe pa transparencë për këto struktura private që thithin buxhetin e shtetit.
Sipas Ahmetajt, fjalimi i mbajtur në parlament nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përbën në vetvete një “rrëfim penal”. Ai sqaroi se njohuritë e tij juridike tashmë janë thelluar për shkak të përballjes me drejtësinë dhe me segmentet e kontrolluara të SPAK-ut, ndaj deklarata e Nufit se “ne prodhojmë” duhet të analizohet me rretezë nga hetuesit. Ahmetaj ngriti pyetjen se kush fshihet pas këtij “ne”: qeveria shqiptare apo instrumentet private si “TIMAK Defense” dhe “Advanced Arms Technology” që marrin fondet publike.







