Ballina Ekonomia Kriza e thellë/ Punësimi në rënie, bujqësia dhe industria humbin mijëra vende...

Kriza e thellë/ Punësimi në rënie, bujqësia dhe industria humbin mijëra vende pune

35
0

Tregu i punës po shfaq shenja ngadalësimi, me shkallën e punësimit që ra në terma vjetorë në tremujorin e dytë të këtij viti, pavarësisht përmirësimit të regjistruar krahasuar me tremujorin e parë.

Të dhënat e Anketës Tremujore të Forcave të Punës të INSTAT tregojnë se shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart zbriti në 58.3%, nga 58.4% një vit më parë.

Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025, shkalla e punësimit u ul me 0.1 pikë përqindje, ndërsa në raport me tremujorin e parë të vitit 2026 u rrit me 0.3 pikë përqindje. Kjo tregon se tregu i punës ka pasur një përmirësim gjatë muajve të pranverës dhe fillimit të verës, por ende nuk ka arritur të ruajë ritmin e një viti më parë.

Sipas INSTAT, numri i personave në punësim në tremujorin e dytë 2026 vlerësohet në 1.159.556 persona. Ndryshimet sipas sektorëve tregojnë se dobësimi vjetor i punësimit është më i theksuar në bujqësi dhe industri, ndërsa edhe shërbimet kanë shënuar një tkurrje vjetore. Në total, punësimi rezulton me një ndryshim vjetor negativ, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka shënuar rritje.

Bujqësia vijon të jetë sektori me rënien më të fortë të punësimit në terma vjetorë. Sipas të dhënave te INSTAT, punësimi në këtë sektor është ulur me 5.9% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Edhe industria ka shënuar rënie vjetore prej 3.9%, ndërsa shërbimet kanë pasur një tkurrje më të moderuar prej 0.3%.

Në terma tremujorë, tabloja është më pozitive, pasi punësimi në total është rritur me 0.6%, i ndihmuar veçanërisht nga industria, ku numri i të punësuarve është rritur me 4.2%, dhe shërbimet, me një rritje prej 1.8%. Në bujqësi, megjithatë, punësimi ka vijuar të bjerë edhe në raport me tremujorin paraardhës, me 0.9%.

Dobësimi vjetor i punësimit vjen në një kohë kur pjesëmarrja në tregun e punës është rritur. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç arriti në 76.3%, 0.1 pikë përqindje më shumë se në tremujorin e dytë 2025 dhe po aq më shumë se në tremujorin e parë të këtij viti. Pra, më shumë persona në moshë pune janë aktivë në treg, por rritja e pjesëmarrjes nuk është shoqëruar me rritje të punësimit në terma vjetorë.

Në anën tjetër, papunësia ka vijuar të ulet. Shkalla e papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart zbriti në 8.3% në tremujorin e dytë, nga 8.6% një vit më parë dhe 8.4% në tremujorin e parë të vitit. Në terma vjetorë, papunësia është ulur me 0.3 pikë përqindje, ndërsa në terma tremujorë me 0.1 pikë përqindje.

Kjo lëvizje në dukje kontradiktore, me punësimin në rënie dhe papunësinë gjithashtu në rënie, lidhet me mënyrën se si maten treguesit e tregut të punës. Shkalla e papunësisë llogaritet vetëm mbi popullsinë ekonomikisht aktive, pra mbi të punësuarit dhe personat që nuk kanë punë, por janë të gatshëm dhe po kërkojnë aktivisht punë. Personat që nuk janë as në punësim dhe as në kërkim aktiv të një pune klasifikohen si jo ekonomikisht aktivë.

Të dhënat e tremujorit të dytë japin kështu një sinjal më të dobët për tregun e punës sesa mund të sugjerojë vetëm rënia e papunësisë. Rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës nuk po përkthehet ende në një zgjerim vjetor të punësimit, ndërsa sektorët e prodhimit, veçanërisht bujqësia dhe industria, kanë regjistruar rënie të ndjeshme të numrit të të punësuarve.