Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një premtim të bujshëm gjatë konventës së republikanëve në Dallas, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e mesmandatit.
Trump deklaroi se, nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, çdo i rritur amerikan do të përfitojë një “dividend” prej 5 mijë dollarësh. Sipas tij, paratë duhet të shpenzohen brenda Shteteve të Bashkuara.
Trump u bëri thirrje amerikanëve të votojnë për republikanët, duke e paraqitur garën si vendimtare për të ardhmen e vendit. Ai paralajmëroi se një fitore e demokratëve do të rrezikonte politikat e tij për kufijtë, taksat, sigurinë dhe ekonominë.
Gjatë fjalimit, presidenti amerikan foli edhe për luftën në Iran, duke mbrojtur sulmet amerikane ndaj objektivave iraniane. Ai tha se pa ndërhyrjen e SHBA-së, Irani mund të kishte siguruar armë bërthamore, ndërsa la të hapur mundësinë për goditje të tjera.
Një tjetër temë e rëndësishme ishin tarifat doganore. Trump i cilësoi ato si një prej mjeteve kryesore për pasurimin e Shteteve të Bashkuara dhe tha se vendi po arkëton miliarda dollarë falë tyre. Ai tregoi gjithashtu me humor se e kishte ulur fjalën “tarifa” nga vendi i parë në të pestin në listën e fjalëve të tij të preferuara, pas reagimeve të mediave.
Fjalimi i Trump zgjati rreth dy orë dhe u mbyll me këngën “Y.M.C.A.”, në një atmosferë festive mes delegatëve republikanë.







