Ballina Politika “Tender prej 22 milionë eurosh, Edi Rama po synon të shkatërrojë edhe...

“Tender prej 22 milionë eurosh, Edi Rama po synon të shkatërrojë edhe një nga dëshmitë e fundit arkitektonike, ‘Sheshin Nënë Tereza’”/ PD, akuza të rënda qeverisë: Sot Tirana nuk të ofron më asgjë, kemi vetëm kulla me fytyrën e tij

85
0

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të PD, Julinda Emiri në një deklaratë për media, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shkatërron trashëgiminë arkitekturore dhe kulturore të Tiranës përmes projekteve që betonizojnë hapësirat publike.

Emiri denoncoi tenderin prej 22 milionë eurosh për ndërhyrjen në ‘Sheshin Nënë Tereza’, duke e cilësuar projektin si një tjetër tentativë për të transformuar një nga dëshmitë e fundit të Tiranës tradicionale, njësoj si ndërhyrja në ‘Sheshin Skënderbej’.

Ajo tha se projekte të tilla nuk i shërbejnë nevojave reale të qytetarëve, ndërsa fondet publike duhet të orientohen drejt ujit, transportit publik, gjelbërimit dhe përmirësimit të mjedisit.

Emiri deklaroi se Partia Demokratike është pro zhvillimit të Tiranës, por kundër betonizimit dhe shkatërrimit të trashëgimisë, duke paralajmëruar se PD në qeveri do t’u japë përparësi investimeve publike që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Deklarata e kryetares së Këshillit Kombëtar të PD, Julinda Emiri:

Me një tender prej 22 milionë eurosh, Edi Rama po synon që të shkatërrojë edhe një nga dëshmitë e fundit arkitektonike dhe kulturore të Tiranës tradicionale, ‘Sheshin Nënë Tereza’, vepër e arkitektit italian Gherardo Bosio.

Edi Rama, në këtë shesh, do të ndërtojë një parking dhe ta mbushë lart me pllaka e beton duke kopjuar një tjetër ndërhyrje brutaliste mbi konceptin neoklasik, atë të sheshit tjetër të madh, ‘Skënderbej’.

E shkuara na ka mësuar se, veç vjedhjeve, projekte të tilla shoqërohen me ngritje kullash, të cilat shkatërrojnë jo vetëm pamjen, por edhe qëllimin për të cilin janë ndërtuar këto sheshe, kur janë projektuar.

Gherardo Bosio e projektoi këtë shesh në vitet ’30, sipas stilit neoklasik, me të cilin u ndërtuan asokohe edhe disa pjesë të Romës. Një stil përsosmërinë e të cilit as diktatura nuk guxoi ta prekte.

Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore me qëllim vjedhjen e fondeve ose vënien në dispozicion të trojeve për miqtë e tij oligarkë është një praktikë e njohur e Edi Ramës.

Ai do të mbetet në histori si individi që përdori pushtetin për t’i vënë kazmën trashëgimisë dhe për të ndërtuar një qytet sipas imazhit të tij. 

Sot Tirana nuk të ofron në asgjë nga historia dhe tradita. Kemi kulla me fytyrën e Edi Ramës, që rivalizojnë monumentin e Skënderbeut; një masiv hekuri dhe betoni në ndërtim, aty ku dikur ka qenë Teatri Kombëtar; kinematë klasike janë shembur; Xhamia e Et’hem Beut struket nën një kullë, dhe Sahati i Tiranë duket si orë muri e kullës ngjitur.

Një shkretëtirë trashëgimie dhe kulture, me kosto të pallogaritshme.

Partia Demokratike është pro zhvillimit dhe projekteve që e rregullojnë qytetin dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve, por ne jemi absolutisht kundër shkatërrimit të kujtestës së qytetit dhe betonizimit të hapësirave publike për teka dhe klientelizëm.

Më shumë se kaq, Partia Demokratike së shpejti në qeveri, do të ritheksojë vetëm një parim: prioritet janë punët publike themeltare, uji, transporti publik, ndotja e mjedisit, gjelbërimi. Edi Rama bën sot të kundërtën e kësaj, sepse ka më shumë për të fshehur dhe zhvatur me beton, kulla dhe shkatërrim të trashëgimisë.

Këta 22 milion euro për një shesh mund të përdoreshin për dhjetra vepra të tjera, për të cilat Tirana ka realisht nevojë.

Por Edi Rama plotëson tekat e veta, jo nevojat e Tiranës.