Dashamir Shehi ka propozuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie të përbashkët politike me studentët që protestojnë.
I ftuar në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, ku u diskutua për protestat e të rinjve në Tiranë, Shehi theksoi se situata kërkon mjete politike dhe jo përplasje të dhunshme.
“As unë nuk jam për ta rrëzuar me dhunë. Por kriza është politike dhe do mjete politike për ta zgjidhur. Kështu ka ndodhur gjithmonë, edhe në ’91-ishin me mjete politike është zgjidhur. Sa herë mungojnë mjetet politike, rrëshqasim aty ku kemi rrëshqitur, në ’97-ën, gjithë këto histori të tjera.
Ai propozoi që zgjidhja të nisë me dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke argumentuar se një hap i tillë nuk do të sillte domosdoshmërisht destabilizim të vendit.
“Kush janë mjetet politike? Unë propozoj… propozoj, se nuk është gjë e re, një herë fillon me dorëheqjen e tij. E do ta shpjegojmë që nuk është ndonjë gjë e tmerrshme, që s’ka ndodhur ndonjëherë. Fillon dorëheqjen e tij. Çfarë kërkojnë të rinjtë? Dorëheqjen e tij. Iku kjo.
Çfarë ndodh? Asnjë gjë nuk ndodh. Fare. Po deshët, nxjerrim edhe socialistë të tjerë kryeministër. Ja ku është Klosi, e ca Klosa të tjerë, për bukuri, nuk ka asnjë problem“, u shpreh ai.
Shehi argumentoi se pas dorëheqjes së Ramës mund të krijohej një qeveri e përbashkët, ku të përfshiheshin përfaqësues të shumicës dhe opozitës, si dhe përfaqësues të të rinjve që kanë protestuar. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një qeveri teknike, por për një qeveri politike me një platformë të përcaktuar. Sipas tij, kjo qeveri do të duhej të kishte si objektiv kryesor integrimin evropian të Shqipërisë.
“Por qeveria bëhet e përbashkët, në ç’kuptim? Unë i kam gjetur edhe emrin, se ky i gjati thotë Evropa, Evropa, sikur vetëm ky na fut në Evropë. Po pse me lartësi futesh në Evropë? Bëje, do t’ia vësh emrin ‘Qeveria për Evropën’. Edhe hyjnë këta që kanë bërë protestën. E përkohshme, sigurisht. Ata të tjerët nga opozita si komponentë, s’ka asnjë gjë të keqe. Por qeveri politike, jo teknike. Se teknike këtu janë rrëzuar përherë, s’marrin gjë përsipër, i kemi parë se ku shkon. E kjo merr një platformë. Cila është platforma që them unë? Për Evropën ia bëjmë të parën qejfin Edi Ramës dhe Partisë Socialiste dhe jam i sigurt, ditën që dilni me këtë qeveri të përbashkët dhe që e ka emrin Për Evropën, Evropa e parë do të thotë: Më duket se i kanë ardhur mendtë shqiptarëve, hajde t’i fusim”, tha ai.







