Ballina Bota 11 Shtatori/ 25 vite më pas, policja amerikane ende kërkon foshnjën që...

11 Shtatori/ 25 vite më pas, policja amerikane ende kërkon foshnjën që shpëtoi nga tragjedia

108
0

Një histori prekëse e 11 Shtatorit rikthehet në vëmendje 25 vite pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Më 11 shtator 2001, katër avionë u rrëmbyen nga anëtarë të Al Kaedës, dy prej të cilëve u përplasën me Kullat Binjake në Nju Jork, një me Pentagonin, ndërsa avioni i katërt u rrëzua në Pensilvani. Gati 3 mijë persona humbën jetën në sulmet më vdekjeprurëse terroriste në historinë e SHBA-së.

Mes mijëra njerëzve që u përpoqën të largoheshin nga Manhattan përmes lumit Hudson ishin edhe oficerët e Policisë së Jersey City, Elba D’Aiuto dhe bashkëshorti i saj, Tony. Ata u angazhuan për të ndihmuar të evakuuarit dhe të plagosurit, por një prej momenteve të asaj dite do të mbetej përgjithmonë në kujtesën e tyre.

Elba kujton se në një traget gjeti një foshnjë të mbuluar nga pluhuri dhe me vështirësi në frymëmarrje. Duke menduar për djalin e saj, ajo e mori në krahë dhe nisi t’i pastronte fytyrën dhe rrugët e frymëmarrjes. “Kur e pashë, ishte plot me këtë pluhur të zi, kështu që instinkti im më tha t’i pastroja hundën, të merrte frymë”, ka treguar ajo.

Policja u përpoq ta qetësonte fëmijën, ndërsa më pas ia dorëzoi një ndihmësi mjekësor. Foshnja u dërgua me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore. Por pas atij momenti, Elba nuk mësoi më asgjë për të. Nuk e di kush ishte fëmija, çfarë ndodhi me të apo ku ndodhet sot. Një tjetër kujtim i fortë për çiftin lidhet me një zjarrfikës të plagosur, të cilin Elba po ndihmonte në traget. Ai kërkonte të kthehej në Manhattan, pasi ishte i shqetësuar për ekipin e tij.

“Duhet të shkoj te njerëzit e mi. Ata kanë nevojë për mua”, kujton Elba t’i ketë thënë ai. Pavarësisht përpjekjeve për ta bindur të qëndronte dhe të merrte trajtim, zjarrfikësi u kthye me traget drejt Manhattanit, pak para shembjes së kullës së dytë. Edhe për të, çifti nuk mori më kurrë informacion.

Sot, 25 vite pas tragjedisë, Elba dhe Tony vazhdojnë të kërkojnë të mësojnë se çfarë ndodhi me dy personat që prekën jetën e tyre për vetëm pak çaste atë ditë. Për ta kanë mbetur fotografitë dhe kujtimet e 11 Shtatorit, por edhe një lidhje emocionale që nuk është shuar me kalimin e viteve. “Kjo lidhje që kisha me ta, edhe për këto pak çaste, nuk do të prishet kurrë”, rrëfeu Elba.