Ballina Opinion Besnik Dizdari, si dëshmi e kohës kur gazetaria ishte një profesion

Besnik Dizdari, si dëshmi e kohës kur gazetaria ishte një profesion

50
0

Nga Shpetim Luku 

Tek një bar ku shkoj thuajse çdo mëngjes për të pirë kafen e mëngjesit me mamanë dhe motrën, shoh shpesh një prej figurave që, për mua, përfaqëson më së miri gazetarinë sportive shqiptare: Besnik Dizdarin.

E shoh të ulur, të përqendruar përpara gazetës së vetme sportive që botohet sot në Shqipëri. Me një stilolaps në dorë, thuajse e konspekton në çdo rresht. Lexon, ndalet, shënon. Pastaj vazhdon. Me një përqendrim maksimal, sikur ende të jetë duke kryer një prej atyre detyrave të përditshme që profesioni i ka kërkuar për dekada.

Është një pamje e thjeshtë, por për mua ka diçka simbolike. Duket sikur puna e gazetarit dhe e kryeredaktorit për të nuk ka përfunduar kurrë. Sikur zakoni i të lexuarit me vëmendje, i kontrollit të çdo fjale dhe i kërkimit të kuptimit pas çdo rreshti është bërë pjesë e pandashme e tij.

Dhe, duke e parë, më vijnë ndërmend shumë gjëra.

E para ka të bëjë me përgjegjësinë e të qenit kryeredaktor i një gazete. Një përgjegjësi që bëhet edhe më e madhe kur e di se para teje kanë qenë njerëz që e kanë kthyer këtë profesion në standard. Të jesh kryeredaktor nuk është thjesht të drejtosh një redaksi, të zgjedhësh tituj apo të vendosësh se çfarë hyn dhe çfarë nuk hyn në faqe. Është të mbash mbi vete përgjegjësinë e fjalës së shkruar.

Dhe kur një prej paraardhësve të atij profesioni është një figurë si Besnik Dizdari, kjo përgjegjësi bëhet edhe më e rëndë.

E dyta lidhet me vetë profesionalizmin e gazetarisë.

Duke parë mënyrën se si një gazetar i këtij brezi e lexon një gazetë, kupton se gazetaria dikur nuk ishte vetëm një mënyrë për të prodhuar përmbajtje. Ishte një profesion që kërkonte përgatitje, njohuri, këmbëngulje dhe, mbi të gjitha, një marrëdhënie të veçantë me të vërtetën.

Gazetarët e asaj kategorie ishin njerëz që e merrnin seriozisht atë që shkruanin. Për ta, një informacion duhej kontrolluar, një fakt duhej verifikuar, një opinion duhej dalluar nga lajmi dhe një fjalë e shkruar duhej të kishte përgjegjësinë e vet.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye, kur i sheh sot nga larg, kupton se sa shumë ka ndryshuar profesioni.

Gazetaria shqiptare është bërë një profesion i masivizuar. Ka me shumicë media, portale, njerëz që shkruajnë dhe një sasi të jashtëzakonshme informacioni që qarkullon çdo ditë. Por masivizimi i profesionit nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe rritje e cilësisë së tij.

Përkundrazi, duket se ka ndodhur e kundërta.

Jetojmë një realitet ku lajmi shpesh kërkohet të jetë i shpejtë para se të jetë i saktë, ku titulli mund të ketë më shumë rëndësi se përmbajtja dhe ku opinioni ngatërrohet lehtësisht me faktin. Ndaj figurat e gazetarisë së vjetër marrin një rëndësi edhe më të madhe.

Legjenda të gjalla si Besnik Dizdari na kujtojnë se gazetaria nuk është shumë më tepër se të shkruash. Është të dish çfarë shkruan, pse e shkruan dhe mbi të gjitha, të kesh përgjegjësinë për ta shkruar të vërtetën.

Kjo është edhe arsyeja pse ajo pamje e një gazetari të moshuar, me stilolapsin në dorë, duke lexuar me skrupulozitet një gazetë sportive, më duket më shumë se një skenë e zakonshme e mëngjesit.

Është një mësim i heshtur për një profesion që, pavarësisht se sa shumë ka ndryshuar, ende ka nevojë për të njëjtën gjë. Për gazetarë që e marrin seriozisht fjalën.