Nga Gjergj Erebara
Kryeministri Edi Rama është detyruar të flasë për politikë dhe politika, një ndryshim madhor ky nga historia e gjatë e tij që është e mbushur me shashka, batuta dhe dhe nonsense. Propozimi i fundit, për skema subvencionimi për qiratë dhe kreditë, jo vetëm që nuk e zgjidhin problemin, por ka gjasa do ta përkeqësojnë atë.
Në Shqipëri, sipas censusit të fundit, 167 mijë familje, ose një në katër, jeton në banesa të vogla dhe të mbipopulluara, me hapësirë më të vogël se 18 metra katrorë për frymë dhe ku komoditeti i një dhome më vete është luks. Përveç këtyre, në Shqipëri ka edhe 132 mijë familje që nuk kanë banesë të tyre, jetojnë me qira ose pa qira në banesën e dikujt tjetër.
Problemi i të gjithë këtyre familjeve është që të ardhurat e tyre janë të ulëta në raport me çmimet e qirave dhe të banesave për blerje. Dhe që përgjatë dekadës së fundit, çmimet e banesave janë rritur me shpejtësi më të madhe se sa të ardhurat, duke përjashtuar nga tregu i blerjes gjithnjë e më shumë familje.
E pra, në këtë situatë, njeriu që ka qeverisur vendin që prej tre mandatesh pa një program elektoral, u detyrua të flasë për një problem real. Ky njeri është Edi Rama. Ai deklaroi se ka në plan të ofrojë subvencionime për disa mijëra familje.
Analiza e problemit është gabim dhe zgjidhja e ofruar, jo vetëm që është gabim, por është edhe as më së largu e mjaftueshme për të zgjidhur problemin.
Sipas Ramës, problemi i strehimit do të zgjidhet me subvencionime të qirasë, me subvencionime të kredive, si dhe me transferimin e banesave të sekuestruara nga gjykatat si produkte të veprave penale te qytetarët në nevojë.
Sepse, në Shqipëri nuk është që të ardhurat janë të pamjaftueshme për të blerë shtëpi, është çmimi i shtëpive tepër i lartë përkundrejt të ardhurave. Çmimi i banesave është i lartë për disa shkaqe: e para, për shkak të korrupsionit. Lejet e ndërtimit jepen me korrupsion, kostoja e korrupsionit transferohet te çmimi i banesave. E dyta, rregullat urbanistike hartohen për interesa private, të cilat shkaktojnë kufizim në konkurrencë dhe çmime të larta. E treta, dhe ndoshta faktori më i madh, është që në tregun e apartamenteve dhe të ndërtimit është derdhur gjatë viteve të fundit një ortek me para droge. Ky ortek me para droge nuk i ka bërë shqiptarët më të pasur. Ai thjeshtë sa i ka inflacionuar jetesën shumicës dërrmuese.
Rrjedhimisht, zgjidhja e problemit të strehës së kushtueshme për ata që kanë nevojë për banesën e parë, si dhe për ata që kanë nevojë për zgjerim për kushte normale banimi, nuk konsiston në dhënien e disa mijëra subvencioneve për disa mijëra familje (nga 132 mijë që duan strehë, dhe 167 mijë të tjera që kanë nevojë për zgjerim), por te eliminimi i shkaqeve që kanë sjellë inflacionimin e çmimeve të banesave, pra eliminimi i korrupsionit në administratën shtetërore, hartimi i planeve rregulluese të ndershme dhe në shërbim të qytetarëve dhe, më e rëndësishmja, lufta pa kompromis ndaj parave të pista.
Sepse, siç thotë Adam Smith, vendi është i pasur ose i varfër, jo në raport me paratë që ka, por në raport me mallrat dhe shërbimet që prodhon. Nëse paraja në qarkullim rritet, fjala vjen, nga fitimet e drogës, ajo nuk kthehet në mirëqënie më të lartë. Ajo kthehet në inflacion.







