Albana Koçiu ka prezantuar sot para ekipit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ministren e re, doktoreshë Klodiana Spahiu, duke e cilësuar atë si një profesioniste që i njeh nga afër sfidat e sistemit shëndetësor dhe si një bashkëpunëtore me natyrë njerëzore.
Në mesazhin e saj, Koçiu foli për “një stafetë të re” dhe “një vizion të përbashkët për Shqipërinë 2030”, duke shprehur bindjen se ministrja e re do të çojë përpara reformat dhe punët e nisura në shëndetësi.
Por ajo që ra në sy nga ceremonia nuk ishte vetëm kalimi formal i detyrës. Në prezantim u vërejt mungesa e ish-ministres Evis Sala, e cila duket se nuk ka qenë e pranishme pas shkarkimit nga detyra, duke lënë të kuptohet se largimi nga posti mund të mos jetë pritur mirë prej saj.
Koçiu, megjithatë, zgjodhi tonin institucional, duke i uruar suksese ministres së re dhe duke theksuar se ajo do të ketë mbështetjen e plotë të skuadrës qeverisëse për të përballuar sfidat e sektorit të shëndetësisë.







