Ballina Opinion Basha, Berisha dhe një takim me prindër në SHBA!

Basha, Berisha dhe një takim me prindër në SHBA!

47
0

Nga Ermal Peçi

Kur ishim në shkollë dhe bënim ndonjë gabim, mësuesi kërkonte prindin. Derisa prindi të shfaqej te dera e klasës, nxënësi konsiderohej fajtor, i pabesueshëm dhe, po ta themi me gjuhën metaforike të politikës së sotme, “non grata”.

Pikërisht këtë skenë të vjetër shkolle ma kujtuan fotografitë e Sali Berishës, gjatë një aktiviteti të republikanëve në Shtetet e Bashkuara. Pothuajse në çdo takim përsëritej e njëjta skenografi: Një kongresmen amerikan, Sali Berisha dhe, mes tyre Fatmir Mediu. Mediu dukej si prindi që kishte ardhur në shkollë për t’i shpjeguar mësuesit se nxënësi nuk ishte aq problematik sa ishte krijuar përshtypja.

Natyrisht, Sali Berisha nuk është nxënës. Përkundrazi, është një nga politikanët më të fuqishëm dhe më jetëgjatë të politikës shqiptare të 36 viteve të fundit. Ka qenë President, Kryeministër, lider i opozitës dhe sot drejton përsëri Partinë Demokratike. Pikërisht për këtë arsye lind një pyetje që nuk mund të shmanget: Përse një politikan me këtë peshë dhe histori ka nevojë për një ndërmjetës, për t’u takuar dhe fotografuar me republikanët amerikanë?!

Kjo pyetje bëhet edhe më interesante kur, në anën tjetër të historisë, kemi Lulzim Bashën.

Basha sot nuk është as deputet. Si ish-kryetar ai ndodhet në një betejë juridike në Gjykatën e Lartë për çështjen e vulës së Partisë Demokratike dhe pesha e tij në politikën e brendshme është dukshëm më e vogël se ajo e Berishës. Megjithatë, paradoksi është se Basha vazhdon të ketë një akses të konsiderueshëm në qarqet institucionale dhe politike ndërkombëtare. Ai ka qenë i ftuar në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të aktiviteteve për 250-vjetorin e pavarësisë amerikane, ishte në panelet kryesore të Samitit të Sigurisë në Mynih, si dhe ka marrë role ndërkombëtare, si drejtimi i një strukture BE-SHBA që lidhet me çështjen e aseteve ruse.

Por këtu qëndron edhe një ndryshim interesant mes dy politikanëve: Lulzim Basha, pavarësisht lidhjeve dhe kontakteve që ka ndërtuar ndër vite në SHBA dhe Europë, rrallëherë i ka shndërruar ato në boshtin kryesor të PR-it të tij politik në Shqipëri. Nuk kemi parë prej tij një industri fotografish për të provuar çdo javë se “Amerika është me mua”.

Te Berisha ndodh e kundërta. Çdo takim, çdo shtrëngim duarsh dhe çdo fotografi, sidomos me një kongresmenë amerikan, shndërrohet menjëherë në lajm politik në Tiranë dhe paraqitet si një tjetër provë e rehabilitimit të tij ndërkombëtar. Dhe këtu rikthehet Fatmir Mediu.

Mediu është një politikan babaxhan. Ka ditur përgjithësisht të ruajë një profil qytetar dhe nuk bërtet e nuk zihet publikisht aq sa shumë si kolegët e tij. Ka gjithashtu një histori të gjatë kontaktesh me politikën amerikane, veçanërisht me republikanët. Prandaj, nuk është aspak e çuditshme që ai të ketë akses në këto qarqe.

Por edhe Mediu, ashtu si Berisha, ka një histori të hapur me SPAK-un. Kështu krijohet një paradoks që meriton të analizohet: Dy politikanë që kanë probleme të hapura me drejtësinë shqiptare udhëtojnë në Amerikë dhe prodhojnë fotografi me përfaqësues të politikës amerikane, ndërkohë që drejtësia që i shqetëson në Tiranë është një nga projektet që Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur më fort në Shqipëri.

Në fakt, në Shqipëri fotografia ka kohë që përdoret si një lloj certifikate politike.

Nëse fotografohesh me një amerikan, konsiderohesh i pranuar nga Amerika. Nëse i shtrëngon dorën një kongresmeni, shpallet se Uashingtoni ka ndryshuar qëndrim. Nëse merr pjesë në një aktivitet apo konventë, fillon menjëherë narrativa e “rikthimit të madh ndërkombëtar”. Por diplomacia nuk funksionon me foto.

Në politikën amerikane ekzistojnë qindra kongresmenë, senatorë, ish-zyrtarë, organizata, fondacione, lobistë dhe struktura politike. Një takim mund të tregojë akses, njohje personale apo marrëdhënie politike. Por ai nuk përfaqëson domosdoshmërisht politikën zyrtare të Shteteve të Bashkuara.

Prandaj, nëse statusi politik i Sali Berishës në raport me Uashingtonin ka ndryshuar ose jo, këtë nuk e përcakton Fatmir Mediu dhe as numri i kongresmenëve që pranojnë të fotografohen me të.

Prova reale do të jetë shumë më e thjeshtë dhe shumë më e dukshme: Sjellja zyrtare e diplomacisë amerikane ndaj tij.

A do ta takojë ambasadori i ri amerikan Sali Berishën në selinë e Partisë Demokratike?

A do të fillojnë ambasadorët perëndimorë të shkojnë përsëri në zyrën e tij?

A do të ketë komunikim institucional, publik dhe të drejtpërdrejtë me të si drejtues i opozitës?

A do të ndryshojë gjuha zyrtare e Departamentit të Shtetit?

Vetëm kur të shohim këto zhvillime mund të flasim seriozisht për një ndryshim real të marrëdhënies së Berishës me Shtetet e Bashkuara.

Pikërisht këtu lind pyetja tjetër, ndoshta edhe më e rëndësishme: Çfarë raporti do të ketë Berisha me SPAK-un, të cilin ambasadori i ri amerikan Eric Wendt gjatë shpalljes së platformës së tij në Senat për situatën në Shqipëri, e trajtoi si aleat kyç?

A do të vazhdojnë Sali Berisha dhe Partia Demokratike të sulmojnë Altin Dumanin, Klodian Brahon dhe prokurorët e tjerë të posaçëm, ndërkohë që kërkojnë njëkohësisht mbështetjen politike të Uashingtonit?

A mund ta duash Amerikën kur ajo shfaqet në një fotografi me një kongresmen dhe, në të njëjtën kohë, të sulmosh një nga investimet më të rëndësishme politike të saj në Shqipëri gjatë viteve të fundit: SPAK-un?

Kjo është një pyetje që Partia Demokratike do të duhet ta zgjidhë jo përmes retorikës, por përmes qëndrimeve konkrete.

Shumë pak e kujtojnë, por edhe procesi në Francë u paraqit për një kohë si beteja që do të ndryshonte gjithçka. U krijua ideja se një zhvillim juridik atje do të rrëzonte të gjithë narrativën ndërkombëtare ndaj Berishës. Në fund, debati prodhoi shumë më tepër propagandë politike në Tiranë, sesa pasoja konkrete në raportet ndërkombëtare.

Prandaj, deri më sot, pavarësisht propagandës, pavarësisht fake news-eve dhe pavarësisht sulmeve mediatike për ta baltosur, për ta bërë pis, për ta nxjerrë të pabesë dhe jobesnik, paralajmërimet e Lulzim Bashës për Partinë Demokratike dhe Berishën, kanë dalë të vërteta. Sot Berisha dhe PD-ja janë të izoluara, nuk po prodhojnë dot shpresë, ai nuk po e realizon dot bashkimin e të djathtës dhe mbi të gjitha nuk po e mundin dot Edi Ramën, edhe pse i rrënuar nga skandale korrupsioni dhe i deligjitimuar nga Protesta afro 4 mujore.

Prandaj në fund të këtij udhëtimi, pyetja kryesore nuk është nëse Berisha takoi disa republikanë.

Pyetja është nëse politika zyrtare amerikane ka vendosur të takojë Berishën. Në SHBA mund të gjesh gjithmonë dikë që pranon të dalë në fotografi. Shumë më e vështirë është të gjesh dikë që pranon të firmosë poshtë saj.