Deputeti i PD Bardh Spahia ka denoncuar ministren e re të shëndetësisë, Klodiana Spahiu se me firmën e saj të parë ka firmosur tenderin e dializës. Spahia shkruan se, familja e Edi Ramës po grabit arkat e shëndetësisë.
Reagimi i plotë:
Sapo u vulos tenderi skandaloz 48.2 milionë euro pa garë, akti i parë i ministres së re ishte emërimi i Yllka Shetës, e cila sipas denoncimeve nga qytetarët është kushërirë e parë e gruas së kryeministrit. Me këtë firmë të parë, ministrja vulosi nënshtrimin dhe besnikërinë e verbër ndaj kryehajdutit që e uli në atë karrige, duke garantuar që dhjetëra miliona euro të sterilizimit, dializës dhe check-up-it të mbeten tërësisht nën kontrollin e oborrit familjar.
Me këtë firmë të parë të ministres së re, ashtu siç e kishim denoncuar, filloj zbatimi i mega-aferës së radhës, grabitjen e dhjetëra milion euro para publike nga xhepat e shqiptarëve.
Ndërsa qytetarët vuajnë mungesën e ilaçeve bazë dhe lëngojnë korridoreve të spitaleve, kupola e pushtetit trajton jetën e njerëzve si bankomat. Kjo babëzi dhe ky abuzim i hapur me taksat dhe shëndetin e shqiptarëve do të marrë faturën e merituar.
Partia Demokratike do të anullojë dhe do të dërgojë për ndjekje penale të gjithë personat e përfshirë në këto afera korruptive që vjedhin paratë e shqiptarëve.
Shqiptarët meritojnë të trajtohen me dinjitet por dinjiteti duhet edhe mbrojtur dhe rifituar nëse nëpërkëmbet nga një qeveri e zhytur në vjedhje. Protesta dhe revolta mbetet e vetmja alternativë!







