Ballina Europë Turqi: Ndalohen dhjetëra persona dhe kontrollohen organizata LGBTQ+

Turqi: Ndalohen dhjetëra persona dhe kontrollohen organizata LGBTQ+

61
0

Autoritetet turke kanë ndaluar 26 persona dhe kanë kontrolluar zyrat e gjashtë organizatave LGBTQ+, në kuadër të një serie operacionesh që pasuan pretendime për prostitucion dhe materiale të pahijshme, njoftuan prokurorët.

Sipas autoriteteve, operacionet janë pjesë e një fushate të qeverisë që synon mbrojtjen e vlerave familjare.

Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit bëri të ditur se gjatë fundjavës autoritetet zhvilluan operacione në 12 provinca ndaj 38 personave të dyshuar. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi drogë, pajisje elektronike, alkool të kontrabanduar dhe një armë zjarri.

Organizata LGBTQ+ me seli në Ankara, Kaos GL, raportoi një shifër më të lartë ndalimesh. Sipas saj, autoritetet ndaluan të paktën 50 aktivistë, përfshirë më shumë se 10 persona që policia i mori gjatë kontrolleve në banesat e tyre.

Kaos GL deklaroi gjithashtu se autoritetet bllokuan aksesin në dhjetëra faqe interneti dhe llogari në rrjetet sociale të lidhura me organizata LGBTI+, aktivistë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut.

Operacioni, i quajtur “Familja ime është e sigurt”, zhvillohet në një kohë kur presidenti Recep Tayyip Erdogan promovon nismën “Dekada e Familjes dhe Popullsisë”, e cila synon të adresojë rënien e lindshmërisë dhe plakjen e popullsisë.

Organizatat e të drejtave të njeriut akuzojnë qeverinë turke se vitet e fundit ka shtuar presionin ndaj komunitetit LGBTQ+ përmes ashpërsimit të retorikës dhe kufizimeve.

“Emri i vërtetë i këtij operacioni nuk është ‘Familja ime është e sigurt’; ai është diskriminim i drejtuar nga shteti, politikë e frikës dhe çmontim i shoqërisë civile”, deklaroi në platformën X Shoqata Turke për të Drejtat e Njeriut.

Nga ana tjetër, Zyra e Prokurorit tha se provat tregonin se fëmijët dhe të miturit po ndikoheshin në mënyrë të papërshtatshme lidhur me çështjet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Ministri i Drejtësisë, Akın Gurlek, deklaroi se hetimet e koordinuara nga prokurorët në Stamboll, Ankara, Izmir, Aydın dhe Mersin përfshijnë procedime gjyqësore ndaj 162 personave, nëntë organizatave dhe 13 bizneseve në 15 provinca.