Ballina Politika Skandali, si i ka bllokuar Kumbaro regjistrimet në Tiranë, prindërit detyrohen t’u...

Skandali, si i ka bllokuar Kumbaro regjistrimet në Tiranë, prindërit detyrohen t’u japin lekë sekserëve për të futur fëmijët në shkollat fillore

59
0

Nëse je prind dhe jeton në qendër të Tiranës, regjistrimi i fëmijës në klasë të parë nuk është më një e drejtë e garantuar nga shteti, por një llotari e dhimbshme ku fitojnë vetëm ata që kanë xhepin plot ose mbështetjen e njerëzve të fortë të pushtetit. Ndërkohë që shkollat më të mira publike në zemër të kryeqytetit duhet t’u shërbejnë banorëve të zonës, dyert e tyre janë bërë të pakalueshme për fëmijët e taksapaguesve të thjeshtë.

Përgjegjësia kryesore për këtë rrjetë korrupsioni bie drejtpërdrejt mbi strukturat në varësi të ministres Mirela Kumbaro, e cila ka lejuar që zyrat e shtetit të kthehen në tezga ku tregtohet e ardhmja e fëmijëve. Skema është bërë tashmë aq e hapur sa nuk fshihet më nga askush. Kur vjen koha e regjistrimeve, prindërit që banojnë fiks përballë shkollave elitare të qendrës marrin përgjigje se vendet janë plot. Fëmijët e tyre dëbohen me letra të rregullta dhe detyrohen të udhëtojnë çdo ditë nëpër shkolla periferike, larg shtëpive, vetëm e vetëm sepse karriget në qendër janë rezervuar paraprakisht. Për kë bëhen gati këto vende? Për fëmijët e zyrtarëve, për militantët e partisë dhe për të gjithë ata që kanë fatin të kenë një njohje të afërt me ministren Kumbaro ose me njerëzit e saj të besuar. Por, për ata prindër që nuk kanë lidhje politike dhe nuk njohin ministra, mbetet vetëm një derë tjetër për të trokitur: dera e sekserëve.

Në korridoret e institucioneve arsimore dhe rreth e rrotull tyre ka lulëzuar një treg i zi i fëlliqur, ku ndërmjetësit e papërgjegjshëm premtojnë “zgjidhje brenda natës” kundrejt shumave të majme cash. Ata të kërkojnë para nën dorë për çdo fëmijë që kërkon të ulet në një bankë shkolle në qendër të Tiranës. Është një shantazh i hapur financiar ndaj familjeve shqiptare, të cilat detyrohen të paguajnë shifra të çmendura thjesht që fëmija e tyre të mos ndëshkohet pse ka lindur në një familje të thjeshtë.