Pesë persona dhe pesë shoqëri tregtare, të përfshirë sipas SPAK në skemën e dyshuar të tenderave në AKSHI, i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën për heqjen e sekuestrove mbi pasuritë e tyre.
Bëhet fjalë për pasuri që SPAK kërkon të mbahen të ngrira deri në përfundim të procesit penal, me dyshimin se burimi i tyre lidhet me të ardhura të pajustifikuara dhe veprimtari kriminale.
Mes personave që kërkojnë zhbllokimin e pasurive është ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Në emër të saj janë sekuestruar një apartament, llogari bankare, tokë dhe dy automjete.
Të njëjtën kërkesë ka bërë edhe biznesmeni Ermal Beqiri, në emër të të cilit janë sekuestruar automjete, llogari bankare, truall, tokë, një ndërtesë dhe një jaht. Në kërkesë përfshihen edhe dy kompanitë e tij, Soft Solutions dhe Horizont.
Beqiri vijon të jetë i ndaluar në Francë, ndërsa pritet vendimi për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Për lirimin e pasurive kanë kërkuar gjithashtu Arjola Koromani dhe Xhemila Tamizi. Në emër të kësaj të fundit, sipas hetimeve, ishte regjistruar një jaht luksoz i lidhur me Ermal Beqirin.
Dosja e dyshuar korruptive në AKSHI po hetohet nga prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti dhe ndodhet ende në fazën e hetimeve.
Në burg ndodhet Ergys Agasi, i arrestuar pak javë më parë në zonën e Plazhit në Durrës.
Sipas SPAK, Beqiri dhe Agasi, së bashku me Karçanajn dhe persona të tjerë, akuzohen për krijimin e një skeme për përfitimin e parave publike, përmes dyfishimit të vlerës së tenderëve, paracaktimit të fituesve dhe devijimit të miliona eurove drejt llogarive të një kompanie fiktive.







