Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mblodhi këtë të mërkurë në një takim Ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare që operojnë në Shqipëri.
Takimi u zhvillua në kuadër të dialogut të vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë me sektorin bankar dhe u përqendrua në zhvillimet më të fundit në veprimtarinë bankare, ecurinë e kreditimit, tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe në çështje me rëndësi për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar.
Vëmendje e veçantë gjatë diskutimeve iu kushtua ecurisë së kreditimit dhe rolit të sektorit bankar në financimin e ekonomisë. Të dhënat tregojnë se kreditimi vijon të ruajë ritme të larta rritjeje. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, kredia për sektorin privat u rrit me 14.3% në terma vjetorë, ndërsa raporti i saj ndaj PBB-së arriti në rreth 35%, niveli më i lartë i regjistruar në dekadën e fundit. Rritja e kreditimit ka qenë e pranishme si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.
Guvernatori Sejko vlerësoi se këto zhvillime krijojnë premisa që kreditimi të vijojë të mbështesë konsumin dhe investimet në ekonomi. Në të njëjtën kohë, ai theksoi rëndësinë që rritja e kredisë të vijojë në mënyrë të kujdesshme dhe të shëndetshme, duke ruajtur standarde të përshtatshme kreditimi dhe administrimi të rrezikut.
Një tjetër çështje e diskutuar ishin edhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe lidhja e tyre me aktivitetin kreditues. Diskutimet u fokusuan në ecurinë dhe dinamikën e këtij tregu, si dhe në zhvillimet e kreditimit për blerjen e banesave. Kredia hipotekare vijoi të shfaqë ritme të larta rritjeje, duke u zgjeruar me 16.1% në terma vjetorë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Ndërkohë, norma mesatare e interesit për kreditë hipotekare në lekë qëndroi në nivelin 3.9%.







