Vetëm një nga rrjetet kryesore të supermarketeve i është përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për të dorëzuar listën e produkteve më të shitura dhe çmimet e tyre, në kuadër të nismës së re “Pasqyra e Çmimeve”. Ministrja Delina Ibrahimaj tha se marketeve u ishin lënë dy javë kohë, ndërsa vetëm i njëjti subjekt ka paraqitur edhe listën e produkteve që mund të shiteshin me marzh minimal ose zero deri në fund të vitit.
Sipas saj, nisma synon të tregojë jo vetëm ku qytetarët mund t’i blejnë produktet më lirë, por edhe se në cilën hallkë të zinxhirit po krijohen rritjet e çmimeve, në një kohë kur inflacioni i importuar ka ardhur në rënie, leku është forcuar dhe megjithatë çmimet në vend mbeten të larta dhe, sipas ministres, mbi mesataren e rajonit.
Fjala e ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në takimin me supermarketet dhe furnitorët
I nderuar Kryeministër,
I nderuar Ministër,
Takimi i sotëm është, në fakt, në vijim të disa takimeve që ne kemi zhvilluar me rrjetet kryesore të supermarketeve në vend. Besoj që edhe nga komunikimet publike të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit jeni bërë me dije që prej disa kohësh tashmë kemi filluar të punojmë për një nismë e cila quhet “Pasqyra e Çmimeve”, e cila synon që të krijojë transparencë dhe të japë informacion mbi nivelin e çmimeve në vend, në nivel produkti.
Ne jemi mësuar që çmimeve t’u referohemi si rritje çmimesh, si inflacion, si ndryshim vjetor, si ndryshim mujor, por ndërkohë qytetarët kanë nevojë që të kenë informacion të detajuar dhe kanë nevojë të kenë një mënyrë të thjeshtë për të kuptuar se ku çmimet janë më të lira dhe ku mund të drejtohen për t’i marrë këto çmime më të lira.
Gjatë viteve të fundit, në fakt, kemi pasur goditje të inflacionit, kemi pasur rritje të çmimeve të shkaktuara jo vetëm nga tregu i brendshëm, por kryesisht nga tregu i jashtëm. Kujtoj këtu para tre vitesh, kur me shumë prej jush jemi ulur, kemi diskutuar se si mund të mitigohet rritja e çmimeve. Kemi pasur edhe iniciativa të përbashkëta me qëllim që të diskutonim këtë çështje dhe t’i ulnim çmimet.
Ne nuk kemi në dorë të ndikojmë tregun ndërkombëtar, por ne kemi në dorë që të bëjmë transparencë për qytetarët dhe kjo është ajo që duam të bëjmë.
Ndërkohë që, përveç transparencës, është e rëndësishme që ne bashkërisht të kuptojmë se çfarë ndodh me çmimet. Kush është hallka e zinxhirit që sjell rritjen e këtyre çmimeve?
Në vitet e fundit, ne të gjithë bashkë kemi parë, kemi diskutuar dukuri të cilat duhet të kishin ndikuar në reduktimin e çmimeve. Për shembull, nënvlerësimi i euros, mbivlerësimi i lekut, pra forcimi i lekut duhet të kishte ndikuar domosdoshmërisht në një reduktim të çmimeve, duke qenë se minimalisht 40% e produkteve të shportës importohen.
Që do të thotë që për ne, për konsumatorët shqiptarë, nga momenti që leku është më i fortë, ato produkte duhet të jenë pak më të lira. Sigurisht që besoj që ka arsye pse kjo nuk ka ndodhur, por për ta kuptuar më mirë këtë dukuri, ne duhet të kuptojmë se çfarë ndodh, ku dhe pse çmimet vazhdojnë të rriten në vend.
Çfarë ndodh kur duhet të ulen për shkak të forcimit të lekut, për shkak të zhvillimeve pozitive në ekonominë shqiptare? Pse këto zhvillime pozitive nuk transferohen te konsumatorët?
Unë, për analizë, iu referova raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, i cili tregon se inflacioni i importuar në gjashtëmujorin e parë të vitit ka qenë në rënie, që do të thotë që janë produktet vendase që janë më të shtrenjta.
Po pse janë ato më të shtrenjta? Kush është hallka e zinxhirit që i rrit ato?
Ky është dhe qëllimi i gjithë nismës që ne e kemi ndërmarrë për të bërë transparencë, analizë dhe monitorim.
E filluam procesin duke thirrur rrjetet e supermarketeve kryesore, siç thashë, duke i kërkuar të gjithëve që të na vinin në dispozicion, sipas tyre, një listë me produktet që janë më të shitura, të cilat përfshijnë produkte ushqimore të shportës, por edhe produkte të higjienës. Pra, ato që konsumatorët shqiptarë përdorin më shumë.
Kërkuam që të kishim një alternativë të çmimeve të produkteve që prodhohen në vend dhe një alternativë të produkteve që importohen, me qëllim që të dyja kategoritë e produkteve t’i bënim transparente dhe t’i analizonim.
U la kohë e mjaftueshme. Unë jam e bindur që të gjitha supermarketet e kanë mundësinë për ta nxjerrë këtë listë me produktet më të shitura për një orë. U lanë këto dy javë dhe vetëm një nga rrjetet e supermarketeve ktheu përgjigje për këtë listë, ndërkohë që në tryezë ishin dakord, sepse është një nismë që është pozitive, që stimulon konkurrencën.
Është një nismë që nuk bëhet në Shqipëri për herë të parë. Është bërë në Greqi, është bërë në Itali, është bërë në Spanjë, në Portugali, në Hungari. Pra, kemi marrë modelet e vendeve të tjera. Nuk po bëjmë asgjë që nuk ndodh në një vend tjetër dhe të gjithë ramë dakord që, sigurisht, stimulon konkurrencën. Nuk erdhi përgjigje.
Ndërkohë, në takime të tjera që kemi pasur me një numër më të reduktuar të marketeve që kanë ardhur në takim, kemi diskutuar edhe për një nismë tjetër, duke ndjekur shembullin e Greqisë, për të përcaktuar një listë produktesh të cilat janë me vlerë të ulët, të cilat i dedikohen shtresave në nevojë, të cilat do të angazhoheshin supermarketet t’i shisnin me një fitim minimal ose zero dhe do të fiksonim këto çmime për një periudhë deri në fund të vitit.
Dhe për këtë listë, vetëm një nga subjektet, i njëjti subjekt në fakt që solli listën e parë, solli dhe listën e dytë.
Ndërkohë që unë besoj që ne jemi të gjithë për një qëllim dhe duhet që, përveçse qëllimit të fitimit, kompanitë patjetër të mendojnë edhe për mbrojtjen e konsumatorit, edhe për të mirën publike, në kushte kur kemi çmime të rritura dhe kemi çmime mbi mesataren e vendeve të rajonit.
Ndaj dhe e menduam të përshtatshme të organizojmë këtë takim edhe me ministrin e Financave, që sigurisht do të jetë i interesuar për pjesën e monitorimit të marzheve, por sigurisht edhe me Kryeministrin, që është nismëtari i kësaj nisme.
Ju falënderoj të gjithëve edhe për pjesëmarrjen.







