Nga Klodian Tomorri
Dy ditë më parë Kapitali publikoi lajmin se Gjykata e Arbitrazhit në Londër bllokoi qeverinë shqiptare për shtetëzimin e Aeroportit të Vlorës. Një ditë më parë, qeveria reagoi përmes një deklarate zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës ku pretendonte se fituesja e arbitrazhit paraprak ishte ajo dhe jo koncesionari. Por si qëndron e vërteta?
Në 5 gusht, ministria e Infrastrukturës njoftoi zgjidhjen e kontratës së konçesionit për Aeroportin e Vlorës. Sipas klauzolave të parashikuara në kontratë, 30 ditë pune pas njoftimit të zgjidhjes, hynte në fuqi ndërprerja e kontratës. Në rastin konkret, kjo i takonte datës 17 shtator.
Por çfarë do të ndodhte në këtë datë? Hynte në fuqi automatikisht neni 15.8 i kontratës së konçesionit. Ky nen sanksion sa më poshtë:
1-Kontrata e konçesionit pushon së qënuri
2-Konçesionari i dorëzon qeverisë pa asnjë kosto ose shpenzim posedimin e VIA-s, të gjitha pronat dhe asetet e saj përfshirë aeroportin si dhe të gjitha skicat apo dokumentat e projektit.
Nga ana tjetër qeverisë i lindin të drejtat e mëposhtëme:
1-të hyjë dhe marrë kontrollin e mënjehershëm operacional të VIA-s, Aeroportit dhe çdo prone të luajtshme
2-të kërkojë që e gjitha vendodhja dhe prona e paluajtshme, asetet t’i dorëzohen mënjëherë asaj
3-të zgjedhë dhe zëvendësojë konçesionarin me një operator pasardhës
4-të marrë posedimin e të gjithë pasurisë së paluajtshme dhe të luajshtme në pronësi ose dhënë me qira nga konçesionari
5-të transferojë pronësinë e Aeroportit dhe gjithë pasurive të paluajshme nga konçesionari tek autoriteti kontraktues

Neni 15.8
Meqë Enea Karakaçi pretendoi një ditë më parë se e ka fituar arbitrazhin, pse nuk shkon të marrë aeroportin, pronat e tij dhe shoqërinë konçesionare siç thotë kontrata konçesionare?
Arsyeja është e thjeshtë. Arbitrazhi e bllokoi qeverinë të aplikojë nenin 15.8 të kontratës duke i hequr praktikisht mundësinë për ta shtetëzuar aeroportin deri sa të konstituohet gjykata e arbitrazhit dhe ta shqyrtojë çështjen në themel. Pra mbi kontratën, arbitrazhi ka vënë masë sigurie duke e ndaluar qeverinë që ta shpronësojë aeroportin.
Por pse qeveria bërtet për fitore duke theksuar se ka Gjykata rrëzoi dy nga tre kërkesat e VIA-s dhe la në fuqi vetëm një masë lehtësimi të përkohëshme? Këtu qeveria luan me fjalët dhe gjysmë të vërteta.
Kërkesa e parë e VIA-s, ishte që Arbitrazhi të detyronte qeverinë të ulej për ndërmjetësim me VIA-n. Kjo kërkesë u rrëzua nga arbitrazhi për një motiv shumë të thjeshtë. Arbitri paraprak tha se ai nuk mund ta detyronte dot qeverinë që të ulej në ndërmjetësim, nëse ajo nuk dëshiron. Sipas vendimit, qeveria kishte 30 ditë kohë për t’u ulur në ndërmjetësim dhe ajo nuk e bëri këtë.
“Unë konstatoj se qeveria ka shprehur në mënyrë të prerë pozicionin e saj se nuk synon të angazhohet më tej në ndërmjetësim, dhe nuk është në kompetencat e mia që ta detyroj MIE-n ta bëjë këtë,” arsyeton arbitri.
Pra, rrëzimi i kësaj kërkese të konçesionarit, të cilën qeveria e quan fitore për të, është në fakt një kobure në kokën e shtetit. Nesër kur çështja të gjykohet në themel, gjyqtarët do të kenë mes të tjerave edhe argumentin që qeveria refuzoi ndërmjetësimin.
Kërkesa e tretë e konçesionarit u rrëzua për të njëjtën arsye. Kjo kërkesë synonte të zgjaste me 60 ditë afatin, që VIA të dorëzonte padinë e themelit të arbitrazhit për t’i lënë kohë ndërmjetësimit për gjetjen e një zgjidhje.
Arbitrja e urgjencës Cecilia Carrara e rrëzoi shtyrjen prej 60 ditësh që kërkonte VIA sepse konstatoi se afati i fundit për të dorëzuar padinë kishte mbërritur tashmë më 16 Shtator 2026 dhe VIA ishte e lirë të niste menjëherë arbitrazhin kryesor pa pasur nevojë për urdhra të tjerë ndërmjetësues.
Tani të kthehemi tek ajo që ministria një ditë më parë e quajti si fitoren më të madhe të shtetit. Atë se gjykatësja nuk pranoi kërkesën kryesore të VIA-s, përkatësisht pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit.
Por çfarë do të thotë kjo?
Përgjigja është shumë e thjeshtë. Gjykata nuk mund ta ndalojë dot qeverinë që ta marrë aeroportin me mjete të tjera përtej nenin 15.8.
Pra Gjykata nuk mund ta ndalojë dot qeverinë që nesër të bëjë pazar me konçesionarin dhe ta marrë aeroportin kundrejt një shpërblimi. Ose të çojë ushtrinë dhe ta marrë atë me dhunë, pavarësisht se kjo do të kishte reperkursione të rënda për interesin e shtetit në gjykimin e themelit.
Abritri arsyetoi se nuk mund të pezullonte zgjidhjen e kontratës për arsye sepse së pari, kjo nuk ishte e parashikuar në kontratë dhe së dyti ku urdhër do të kishte pasoja, të cilat nuk ishin të përcaktuara në kontratën e konçesionit.
Pra qeveria mund ta marrë aeroportin ose me pazar ose me dhunë. Por arbitri e ka ndaluar qeverinë ta marrë aeroportin sipas parashikimeve në kontratën konçesionare, të cilat janë në nenin 15.8, sepse ky nen është në masë të plotë sigurie. Me pak fjalë, arbitri e ka ndaluar qeverinë ta marrë aeroportin në mënyrë të ligjshme.
Pra e thënë shkurt, qeveria mund të vazhdojë me zgjidhjen e kontratës. Mund të vazhdojë të hapë edhe një tender për të gjetur një konçesionar të ri. Por çdo marrje e aeroportit do të hidhte në erë interesat e shtetit në gjykimin e themelit. Kjo është arsyeja se pse qeveria nuk e merr dot aeroportin sot.
Madje, aq i rreptë është ndalimi që i ka bërë arbitri qeverisë, saqë edhe deklaratën që ministria publikoi një ditë më parë e ka cilësuar si frustrim dhe pengim të vendimit paraprak.
Kapitali ka mësuar se menjëherë pasi ministria nxorri deklaratën ku bërtiste për fitore, Mabco e Pacollit iu drejtua zyrtarisht arbitrit duke e vënë në dijeni. Pas kësaj kërkese, gjyqtarja ka reaguar menjëherë duke i tërhequr vëmendjen qeverisë që të mos dëmtojë masën e sigurisë duke e njoftuar zyrtarisht me email.
Pra, në situatën e sotme që ka vendosur Arbitrazhi, kontrata nuk ka pushuar së qëni dhe qeveria nuk ka të drejtë ta marrë aeroportin në mënyrë të ligjshme. Kjo situatë do të jetë në fuqi, derisa të konstituohet trupi gjykues i arbitrazhit dhe të rishqyrtojë masën.







