Nga Desada Metaj
Edi Rama e përdori krizën e pagave të magjistratëve për të bërë shumë më tepër sesa një debat financiar. Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri nuk foli vetëm për 8,500 lekë më shumë, as vetëm për pretendimin e magjistratëve për afro 80 mijë lekë. Ai artikuloi, në mënyrën më të qartë deri tani, krizën e tij me sistemin e drejtësisë. Dhe ky është thelbi i debatit të djeshëm: pagat ishin preteksti, drejtësia ishte shënjestra.
Rama tha se sheh dy suksese në Reformën në Drejtësi: SPAK-un dhe GJKKO-në. Me të gjitha problematikat që kanë, sipas tij, këto mbeten dy arritjet e mëdha të reformës. Por në të njëjtën fjali, ai shpalli si “faliment” dy këshillat e sistemit, KLGJ dhe KLP, duke e zhvendosur debatin nga një ligj pagash te një gjykim politik mbi arkitekturën e reformës.
Në pamje të parë, kjo mund të duket si reflektim institucional. Në fakt, është më shumë se kaq. Është paralajmërim.
Sepse Rama, që ka qenë pushteti politik kryesor në kohën kur Reforma në Drejtësi u miratua, tani shfaqet i pakënaqur me produktin e saj. Jo me reformën si slogan, jo me reformën si flamur ndërkombëtar, jo me drejtësinë kur ajo prodhon spektaklin e përditshëm të “burg, burg, burg”. Por me atë pjesë të drejtësisë që nuk komandohet dot si qeveria, ku ministrat ndërrohen sipas humorit politik, ku një Petrit Malaj mund të zëvendësohet me një Zegjine Çaushi dhe zgjedhja të shitet si zgjidhje.
Drejtësia, megjithatë, nuk është kabinet qeveritar. Dhe pikërisht këtu fillon nervozizmi i Ramës.
Kryeministri foli për “lëvizje të koordinuara” mes shoqatave të gjyqtarëve dhe trupës gjyqësore, duke i cilësuar ato shqetësuese dhe të dëmshme për Republikën. Ai shkoi deri aty sa tha se, në dijeninë e tij, gjyqtarët “as me njëri-tjetrin nuk flasin” përpara se të marrin vendime, duke e paraqitur reagimin e tyre për pagat si një lloj organizimi të dyshimtë.
Por këtu lind pyetja që nuk u tha në sallë: kur magjistratët heshtin, politika i quan të mbyllur në kullën e tyre. Kur flasin, politika i quan të koordinuar. Kur kërkojnë zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria sheh rrezikun e “qeverisjes së gjyqtarëve”.
Në pjesën më të fortë të fjalimit, Rama iu drejtua hapur Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se Kushtetuesja është arbitër, mund të ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund të anulojë golin, por nuk mund të marrë topin dhe të gjuajë penalltinë vetë. Me këtë metaforë, kryeministri vendosi vijën e tij të kuqe: Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë ligje, por nuk mund t’i diktojë Kuvendit formulën që duhet të votojë.
Në teori, ky është një debat kushtetues serioz. Kufiri mes interpretimit të Kushtetutës dhe krijimit të normave të reja është gjithmonë delikat. Por në kontekstin politik të djeshëm, Rama nuk po bënte vetëm teori juridike. Ai po i thoshte sistemit të drejtësisë se parlamenti i tij, me 84 vota në sallë, nuk pranon të marrë urdhra për formulën, shumën apo tekstin.
Kjo e bën edhe më të qartë pse kriza e pagave u trajtua si një krizë pushteti.
Mazhoranca votoi formulën e saj. Magjistratët e kundërshtuan. KLGJ dhe KLP kishin mbështetur një kërkesë shumë më të lartë. Opozita e quajti projektligjin “puç kushtetues”. Por Rama e përdori këtë konflikt për të kristalizuar një tezë më të madhe: reforma duhet rishikuar, sepse disa nga institucionet e saj kanë dalë jashtë pritshmërive të pushtetit politik që e krijoi.
Thënë më thjesht: do ta ribëjmë reformën, këtë herë me njerëzit dhe rregullat që na duken të duhura.
Këtu qëndron paradoksi. Sepse edhe këta magjistratë, edhe këto këshilla, edhe kjo arkitekturë institucionale janë, në një masë të madhe, produkt i vullnetit politik që Rama e drejtoi për vite me radhë. Nuk mund të shiten sot si trup i huaj në Republikë vetëm pse nuk sillen gjithmonë sipas pritshmërisë së kryeministrit.
Mund të ketë probleme në drejtësi. Mund të ketë dosje të mbuluara me pluhur. Mund të ketë vonesa, arrogancë, paaftësi, heshtje dhe padrejtësi të reja brenda sistemit që u premtua si shpëtim. Por zgjidhja nuk mund të jetë që kryeministri ta trajtojë drejtësinë si ministri tjetër në listën e radhës për rindërtim politik.
Kriza e pagave ishte e dobishme për Ramën sepse i dha skenën, momentin dhe justifikimin. Me një ligj për pagat, ai hapi një debat për kufijtë e Gjykatës Kushtetuese. Me një votim teknik, ai shpalosi pakënaqësinë me këshillat e drejtësisë. Me një rritje prej 8,500 lekësh, ai artikuloi një përplasje shumë më të madhe: kush e kontrollon reformën pasi reforma fillon të prodhojë pushtet më vete?
Dje Kuvendi miratoi formulën e pagave. Por Rama bëri më shumë se kaq. Ai shpalli se drejtësia që u ndërtua nën pushtetin e tij nuk është më plotësisht drejtësia që i pëlqen atij.Dhe ky është lajmi i vërtetë.







