Ballina Politika “Provo dil, të tërheqin zvarrë”/ Tabaku i kujton Ramës 110 ditë protesta:...

“Provo dil, të tërheqin zvarrë”/ Tabaku i kujton Ramës 110 ditë protesta: Mos trego arrogancë, por jep dorëheqjen

54
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, iu drejtua kryeministrit Edi Rama gjatë replikës së saj në Kuvend ditën e djeshme, duke iu referuar protestave të zhvilluara prej 110 ditësh dhe kërkesës së protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit.

Tabaku i kërkoi Ramës të përballet me protestuesit dhe të dëgjojë kërkesat e tyre.

“Ke 110 ditë protestuesit te dera, provo njëherë të dalësh atje”, tha Tabaku.

Ajo shtoi se kërkesa që, sipas saj, po artikulohet nga qytetarët në protestë është dorëheqja e kryeministrit.

“Thirrja e qytetarëve sot është ‘Rama, jep dorëheqjen’. Dëgjoje dhe zbato kërkesat e tyre”, u shpreh deputetja e PD-së.

Replika e plotë e Jorida Tabakut:

“Së pari, njëherë kërkon guxim shumë të madh kur t’i kesh 110 ditë te dera protestuesit e të thuash ‘na përzënë ne’. Provo njëherë dil atje, se e kanë provuar edhe këto këtu dhe i kanë tërhequr zvarrë.

Së dyti, në vend që t’i dëgjosh e t’i marrësh si këmbana alarmi ato që kërkojnë njerëzit atje, sillesh përsëri me të njëjtën arrogancë që i ka sjellë ata njerëz të dalin atje në shesh.

Sot kanë një thirrje qytetarët dhe thirrja është ‘Rama, jep dorëheqjen’. Dëgjoje, meqenëse e dëgjoke turmën, edhe zbato kërkesat e tyre.”

Përgjigjja e Ramës:

“Zonja Tabaku, ju nuk ishit kur unë bëra replikën për gjithë përsëritjet tuaja, me trupin që drithërohej, për ‘100 ditë protesta, 100 ditë protesta’, dhe dua t’jua përsëris edhe kështu në sy. Kur qytetarët protestojnë poshtë dritares së qeverisë, quhet demokraci dhe kur e bëjnë këtë pa u hyrë gjemb në këmbë, quhet krenari. Aq më tepër kur e bëjnë në po atë bulevard ku janë vrarë dhe janë plagosur. Por kur qytetarët që protestojnë i thonë opozitës dhe juve personalisht ‘largohu’, atëherë është një sëmundje ngjitëse që ajo protestë nuk e do. Dhe nuk kanë faj, sepse ju jeni një sëmundje ngjitëse e humbjes kronike. Kush ju afrohet, humb, humb, humb”.