Një specie e re maceje të egër është identifikuar në pyjet e Bolivisë, pasi për vite me radhë ishte ngatërruar me lloje të tjera për shkak të ngjashmërisë së madhe në pamje. Macja e vogël, me përmasa të përafërta me një mace shtëpiake, është konfirmuar si specie më vete falë analizave të ADN-së. Shkencëtarët e kanë pagëzuar maca Tilcaya, me emrin shkencor Leopardus tilcayo, ndërsa një prej ekzemplarëve të njohur mban nofkën “Tigrino”.
Zbulimi nisi kur studiuesja boliviane Paola Nogales-Ascarrunz vuri re diçka të pazakontë te një mace 10-vjeçare që jetonte në një strehë shpëtimi. Kafsha ishte gjetur në pyll nga një banor vendas, i cili fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një mace shtëpiake. Për të zbardhur identitetin e saj, studiuesit analizuan ADN-në e maceve të gjalla dhe të ekzemplarëve të ruajtur në muze. Rezultatet treguan se kafsha i përket një linje gjenetike të veçantë.
Studimi, i publikuar në revistën Current Biology, sjell gjithashtu të dhëna se grupi i të ashtuquajturave mace tigër mund të përbëhet nga pesë lloje, dhe jo nga tre sa mendohej më parë. Shkencëtarët theksojnë se zbulimi ka rëndësi edhe për ruajtjen e biodiversitetit. Macet tigër, të përhapura në Amerikën Qendrore dhe Jugore, përballen me kërcënime si shpyllëzimi, humbja e habitatit dhe gjuetia e paligjshme.
Studiuesit thonë se identifikimi i një specieje është vetëm hapi i parë, pasi ende nuk dihet me saktësi se sa individë të Leopardus tilcayo jetojnë në natyrë dhe në cilat zona të Bolivisë janë të përhapur. Zbulimi tregon gjithashtu se edhe gjitarë me përmasa të vogla dhe të ngjashëm me kafshët e njohura mund të mbeten të pazbuluar në disa prej zonave më pak të studiuara të botës.







