Ballina Kosovë Kurti: Është konfirmuar identiteti i tri viktimave nga varret masive në Zubin...

Kurti: Është konfirmuar identiteti i tri viktimave nga varret masive në Zubin Potok, i përkasin ‘Grupit të Intelektualëve’

41
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të shtunën se është konfirmuar identiteti i tri viktimave pas zhvarrimit të mbetjeve mortore të zbuluara në varreza masive në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës.

Kurti shkroi në Facebook se raportet e ADN-së kanë konfirmuar se tri viktimat i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Kryeministri nuk tregoi me emër dhe mbiemër se kush ishin viktimat, por tha se familjet e tri viktimave të identifikuara janë njoftuar qysh sot.

Njoftimi i tij vjen gati dy muaj pasi u zbuluan tri varre masive në këtë komunë në veri të vendit, ku u gjetën mbetje mortore të së paku 23 njerëzve.

Në fund të muajit të kaluar, autoritetet kosovare i dërguan në Hagë të Holandës mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Kurti tha se Kosova pret t’i pranojë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së “në ditët dhe javët në vijim”.

“Me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, tha Kurti./REL