Ballina Kronika Gjirokastër/ Kapen me 100 steka cigare dhe 22 mijë euro, arrestohen dy...

Gjirokastër/ Kapen me 100 steka cigare dhe 22 mijë euro, arrestohen dy 43-vjeçarë

38
0

Në Gjirokastër janë arrestuar Olcian Lami, 43 vjeç, dhe Markeljan Dida, 43 vjeç, të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kontrabandë mallrash.

Sipas policisë, dy 43-vjeçarët u ndaluan në aksin rrugor “Kakavijë-Gjirokastër”, ndërsa transportonin me autobus mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia.
Gjatë kontrollit, në vende të mbyllura në autobus u gjetën 100 steka me cigare dhe 22 695 euro.

Në bagazh u gjetën gjithashtu produkte deti e mishi, produkte bulmeti, medikamente dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme.

Policia sekuestroi mallrat, autobusin dhe një aparat celular, ndërsa hetimet vijojnë për persona të tjerë që dyshohet se mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

Njoftimi i Policisë:

Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Akciza 3”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.

U kapën në flagrancë, në aksin rrugor “Kakavijë-Gjirokastër”, duke transportuar me autobus mallra të ndryshme të kontrabanduara nga Greqia, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 22 695 euro, 100 steka me cigare dhe mallra të tjera të kontrabanduara, si dhe autobusi dhe 1 aparat celular.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve të marra nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajonale Vlorë-Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, goditën një rast të kontrabandimit të mallrave nga Greqia.

Për këtë rast u vunë në pranga shtetasit O. L., 43 vjeç, dhe M. D., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në aksin rrugor “Kakavijë-Gjirokastër”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin që këta shtetas e drejtonin me radhë. Gjatë kontrollit në autobus janë gjetur të fshehura, në vende të mbyllura, 100 steka me cigare dhe 22 695 euro, si dhe, në bagazh, janë gjetur kuti me produkte të ndryshme deti dhe mishi, produkte bulmeti, kuti me medikamente dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme, si dhe mallra të tjera, të cilat dyshohet se këta shtetas i kanë kontrabanduar nga Greqia.

Mallrat, autobusi dhe 1 aparat celular u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.