Ballina Opinion Paaftësia e një deputeti “antikomunist” për të kuptuar krimet e komunizmit

Paaftësia e një deputeti “antikomunist” për të kuptuar krimet e komunizmit

101
0

Nga Desada Metaj 

Ajo që ndodhi dje me zonjën Florika Nguca në Lushnje është një provë se sa pak jemi të aftë të kuptojmë traumën e komunizmit, sidomos kur ajo nuk vjen në formën që na leverdis politikisht.

Zonja ndoshta nuk gjeti mënyrën më të qartë, më të drejtpërdrejtë apo më të pranueshme për të përshkruar terrorin që kishte përjetuar si fëmijë gjatë komunizmit. Poezia që ajo recitoi, e shkëputur nga konteksti, mund të tingëllonte keq. Mund të dukej e papërshtatshme. Mund të mos ishte mënyra që do të zgjidhte dikush tjetër për të folur për diktaturën.

A do ta recitoja unë atë poezi? Absolutisht jo.

Por pikërisht këtu fillon dallimi mes gjykimit njerëzor dhe linçimit politik. Sepse askush nuk ka të drejtë të vendosë në peshore se kush ka vuajtur më shumë, kush ka të drejtë ta tregojë dhimbjen dhe kush duhet të heshtë sepse mënyra e tij e të folurit nuk i përshtatet tribunës së ditës.

Edhe unë e kam provuar, në një formë shumë më të vogël, por mjaftueshëm të qartë për ta mbajtur mend gjithë jetën, se çfarë do të thoshte biografia në komunizëm. Në klasën e tetë, shkolla u detyrua të më “shkarkonte” nga e drejta për të dhënë komandën në fillim të mësimit, për shkak të biografisë së gjyshit tim. Një fëmijë, që nuk kishte bërë asgjë, duhej të kuptonte se fajin e kishte prejardhja. Se mbi të kishte një hije. Se shteti kishte hyrë edhe në bankën e shkollës.

Prandaj e di shumë mirë se terrori i komunizmit nuk ishte vetëm burgu. Ishte edhe poshtërimi i vogël, përjashtimi i heshtur, frika e trashëguar, kujdesi për çdo fjalë, damka mbi familjen, mbi fëmijën, mbi emrin.

Por edhe duke e ditur këtë, nuk do t’i lejoja vetes të gjykoja një grua tjetër që e ka përjetuar diktaturën ndryshe, që e tregon ndryshe, që ndoshta ngatërrohet në simbolikë, në metaforë, në fjalë, por që në thelb po fliste për vuajtjen e familjes së saj.

Linçimi i saj, i nisur nga një deputet qesharak i opozitës, është një akt i shëmtuar. Jo vetëm sepse nxori jashtë kontekstit një video, por sepse e ktheu dhimbjen e dikujt në material propagande. E mori një grua, e hodhi në rrjet dhe e la turmën ta copëtonte, pa u shqetësuar as për të vërtetën, as për kontekstin, as për dinjitetin e saj.

Minimumi që duhej të kishte ndodhur ishte një ndjesë. Një fjali e thjeshtë: e nxora jashtë kontekstit, gabova.

Por jo. Ai vazhdon të mbrojë të pambrojtshmen. Vazhdon të këmbëngulë në ligësinë që e përcaktoi jo vetëm si politikan, por edhe si karakter njerëzor. Një politikan pa ndonjë vlerë tjetër të dukshme, përveç servilosjes së radhës: njëherë ndaj Bashës, më pas ndaj Berishës.

Dhe këtu problemi bëhet më i madh se një deputet. Sepse Partia Demokratike, partia që duhej të kishte qenë më e ndjeshmja ndaj viktimave të komunizmit, ka mbi shpinë mëkatet e veta të mëdha për mënyrën si i trajtoi të përndjekurit. Por kjo është një temë tjetër, e gjatë dhe e hidhur.

Sot mjafton të thuhet kaq: deputetët e kësaj partie duhet t’i kërkojnë ndjesë një zonje që u masakrua publikisht, jo nga e vërteta, por nga një montim politik. Dhe duhet të kujtojnë diçka shumë të thjeshtë: në zellin për të poshtëruar një grua që foli keq, çuditshëm apo dhimbshëm për komunizmin, ata nuk kanë treguar të njëjtën ashpërsi as ndaj vetë Enver Hoxhës.

Për të mos folur pastaj për Gramoz Ruçin dhe të tjerë, ndaj të cilëve kujtesa antikomuniste e disa demokratëve bëhet befas shumë e sjellshme, shumë e kujdesshme dhe shumë e heshtur.