Pasi u shkri komisioni dypalësh për reformën territoriale, kryeministri Edi Rama i ka lënë detyrë kryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, që të kalojë reformën pa konsensusin e opozitës.
VNA zbardh dokumentin zyrtar të parlamentit që përcakton kalendarin e përshpejtuar të shqyrtimit të projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas këtij kalendari parlamentar, projektligji parashikohet të kalohet me shpejtësi dhe të votohet në seancën plenare të Kuvendit më 8 tetor 2026.
Shqyrtimi në Komisionin e Ligjeve nis zyrtarisht këtë të hënë, pra sot, më 21 shtator 2026, me miratimin e vetë kalendarit të punimeve. Relatorë për këtë nismë ligjore janë caktuar deputetët Ermal Pacaj dhe Aulona Bylykbashi.
Agjenda e planifikuar për kalimin e reformës përfshin disa hapa kryesorë gjatë javëve në vijim:
*E mërkurë, 23 shtator (Ora 10:00):* Prezantimi në parim i projektligjit nga nismëtarët e tij.
*E hënë, 28 shtator (Ora 11:00):* Zhvillimi i seancës dëgjimore për shqyrtimin në parim, ku janë thirrur përfaqësues nga Këshilli i Ministrave, Ministri i Brendshëm dhe i Pushtetit Vendor, Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë, Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë, si dhe ekspertë të qeverisjes vendore.
*E premte, 2 tetor (Ora 10:00):* Prezantimi i gjetjeve të konsultimit publik të kryer nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.
*E hënë, 5 tetor (Ora 11:00):* Shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi i projektligjit, në prani të nismëtarëve dhe përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave.
Pas përmbylljes së shqyrtimit në komision, drafti do të dërgohet drejtpërdrejt për votim në seancën plenare të datës 8 tetor. Dokumenti zyrtar mban firmën e kryetarit të komisionit, Ulsi Manja.








