Gjykata e Lartë në Sri Lanka ka shpallur fajtorë 15 persona të akuzuar për përfshirjen në planifikimin e sulmeve terroriste të së Dielës së Pashkëve në vitin 2019, ku humbën jetën 270 persona dhe u plagosën më shumë se 500 të tjerë.
Mes të dënuarve është edhe Naufer Moulavi, të cilin prokuroria e ka cilësuar si organizatorin kryesor të sulmeve me bomba vetëvrasëse. Nëntë persona të tjerë të akuzuar në të njëjtën çështje janë shpallur të pafajshëm. Seanca gjyqësore u ndërpre përpara se të shpallej masa për të dënuarit.
Sulmet e koordinuara ndodhën në tri kisha dhe tri hotele luksoze në Sri Lanka dhe ishin më vdekjeprurëset në vend që prej përfundimit të luftës civile në vitin 2009. Mes viktimave ishin 45 shtetas të huaj, ndërsa shumica e të vrarëve ishin shtetas të Sri Lankës, përfshirë edhe fëmijë.
Autoritetet i kanë atribuar sulmet ekstremistëve islamikë. Të gjithë autorët e drejtpërdrejtë të shpërthimeve humbën jetën gjatë sulmeve. Në total, 25 persona ishin të pandehur në këtë proces, ndërsa një prej tyre vdiq gjatë qëndrimit në paraburgim.
Pas sulmeve, autoritetet e Sri Lankës pranuan se kishte pasur një dështim të rëndë të shërbimeve të inteligjencës. Parlamenti dëgjoi se një paralajmërim i marrë nga India për sulmet e mundshme nuk ishte përcjellë në mënyrën e duhur tek autoritetet vendase.
Në vitin 2023, Gjykata e Lartë urdhëroi ish-presidentin Maithripala Sirisena të paguante miliona në kompensime për viktimat, pasi e gjeti përgjegjës për dështimet në sigurinë kombëtare, që i paraprinë sulmeve. Muajin e kaluar, dy ish-zyrtarë të lartë u dënuan me vdekje për neglizhencë kriminale që çoi në sulme, megjithëse dënimet me vdekje në Sri Lanka zakonisht zëvendësohen me burgim të përjetshëm, për shkak të moratoriumit prej dekadash mbi ekzekutimet.
Vendimi i fundit vjen ndërsa vijon një hetim i veçantë ndaj ish-shefit të inteligjencës Suresh Sallay, i cili akuzohet se ka organizuar sulmet në bashkëpunim me ekstremistë islamikë. Akuzat janë ngritur edhe në një dokumentar të Channel 4 në vitin 2023, ku një dëshmitar pretendoi se sulmet ishin lejuar të ndodhnin për të rritur mbështetjen ndaj familjes Rajapaksa, e cila për vite me radhë dominoi politikën e vendit.
Suresh Sallay, i arrestuar në shkurt, i mohon akuzat. Edhe ish-presidenti Gotabaya Rajapaksa, i cili u zgjodh disa muaj pas sulmeve me premtimin për të luftuar ekstremizmin islamik, i ka mohuar këto pretendime.







