Ballina Bota Netanyahu: Do tregoj të vërtetën mbi veprimet e Izraelit në Kombet e...

Netanyahu: Do tregoj të vërtetën mbi veprimet e Izraelit në Kombet e Bashkuara

80
0

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të martën se do ta përdorte fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara këtë javë për të mbrojtur veprimet ushtarake të Izraelit kundër palestinezëve, ndërsa akuzoi kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, për mbështetje të Hamasit.

Komentet e Netanyahut ishin në përgjigje të vërejtjeve të kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, i cili i tha CNN të hënën se Netanyahu ishte një “kriminel lufte dhe arkitekt i një gjenocidi të tmerrshëm ndaj popullit palestinez”.

Netanyahu pritet të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të enjten.

“Po vij në OKB. Do të tregoj të vërtetën për ushtarët tanë heroikë dhe do të tregoj të vërtetën për ty (Mamdani),” tha Netanyahu në një deklaratë të shkurtër  me video.

Mamdani kishte thënë më parë se do ta arrestonte Netanyahun, por pranoi se nuk kishte fuqinë për ta bërë këtë.

“Turp të ju vijë, z. Mamdani,” tha Netanyahu. “Turp të ju vijë që mbështesni përbindëshat terroriste të Hamasit që masakruan popullin tonë. Turp të ju vijë që nxitni trazira kundër hebrenjve të Nju Jorkut.”

Disa kundërshtarë republikanë e kanë quajtur Mamdanin antisemit, duke përmendur avokimin e tij pro-palestinez dhe kritikat ndaj veprimit ushtarak të Izraelit në Gaza.

Mamdani e ka dënuar antisemitizmin. Ai thotë se kritikat e tij ndaj Izraelit ngatërrohen gabimisht me antisemitizmin.

Autoritetet izraelite kanë thënë se bastisja e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 vrau rreth 1,200 persona, ndërsa 251 të tjerë u rrëmbyen.

Izraeli u përgjigj me një sulm ajror dhe tokësor, për të cilin thotë se kishte për qëllim shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit. Më shumë se 73,000 palestinezë janë vrarë, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës, një numër që nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe jo-luftëtarëve.

Izraeli ka mohuar se ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, duke thënë se po lufton kundër militantëve të Hamasit dhe duke e akuzuar grupin se fshihet pas civilëve.