Mbrojtja ka kohë deri të premten, më 25 shtator, për të dorëzuar njoftimin e apelit, ku duhet të përcaktojë edhe pjesët e aktgjykimit që do të kundërshtojë.
Ka nisur zyrtarisht faza e Apelit për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të dënuar në shkallën e parë nga Dhomat e Specializuara me gjithsej 81 vite burg për krime lufte.
Ekipet mbrojtëse kanë nisur procedurat për të njoftuar Gjykatën Speciale se do ta ankimojnë vendimin. Sipas afateve procedurale, mbrojtja ka kohë deri të premten, më 25 shtator, për të dorëzuar njoftimin e apelit, ku duhet të përcaktojë edhe pjesët e aktgjykimit që do të kundërshtojë.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet
Sipas mbrojtjes, aktgjykimi përmban disa pika që do të kundërshtohen në Apel, veçanërisht ato që lidhen me përgjegjësinë për vrasjet dhe ndalimet e paligjshme në rrethana ku, sipas avokatëve, ka ndërhyrë edhe një palë e tretë, në këtë rast NATO.
Paralelisht me procedurat e mbrojtjes, edhe palët e tjera kanë afatet e tyre. Avokati i viktimave duhet të paraqesë deri më 14 tetor provat që lidhen me dëmshpërblimet, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka afat deri më 4 nëntor për të dorëzuar parashtresat e saj.
Ndërkohë, krahas zhvillimeve në Hagë, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend një projekt-nismë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke deklaruar se synon rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së kësaj gjykate.







